Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë zhvilluar bisedime në Oman, në një moment krize që ka rritur frikën për një përballje ushtarake mes dy vendeve.
Bisedimet indirekte në kryeqytetin Muskat u zhvilluan ndërkohë që ushtria amerikane po rrit praninë në Lindjen e Mesme, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar, ku sipas organizatave për të drejtat e njeriut u vranë mijëra persona.
Duke folur për televizionin shtetëror pas takimeve, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë se negociatorët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime të mëtejshme, por e cilësoi takimin si një “fillim të mirë”.
Irani kishte deklaruar më herët se bisedimet do të kufizoheshin vetëm në programin e tij bërthamor. SHBA-ja, e cila kërkon që Irani të ngrijë programin bërthamor dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, ka insistuar që negociatat të përfshijnë edhe raketat balistike të Iranit si dhe mbështetjen e tij për grupet e armatosura në rajon.
Më herët, ministri i Jashtëm i Omanit kishte zhvilluar takime të ndara me Araghchin, të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, si dhe me Jared Kushner, dhëndrin dhe emisarin e presidentit Donald Trump.
Sipas Omanit, “konsultimet u përqendruan në përgatitjen e kushteve të duhura për rifillimin e negociatave diplomatike dhe teknike”.
Rundi i fundit i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor ishte paraparë të mbahej në qershorin e kaluar, por u anulua pas sulmit të befasishëm të Izraelit ndaj Iranit.
Në javët e fundit, Trumpi ka kërcënuar se do të bombardojë Iranin nëse nuk arrihet marrëveshje. SHBA-ja ka dërguar mijëra trupa dhe atë që Trumpi e ka quajtur një “armadë” në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije të tjera luftarake dhe avionë luftarakë.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi me forcë, duke kërcënuar se do të godasë objektiva ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme si dhe Izraelin.