Artikull i përditësuar (20:40) - Shefi i Policisë në Minneapolis, Brian O’Hara, ka bërë të ditur se autoritetet e qytetit e dinë identitetin e burrit të vrarë nga zyrtarët federalë, por se emri nuk do t’i bëhet e ditur tash.
Ai e ka përshkruar të vrarin si një person të bardhë, rezident i qytetit dhe shtetas amerikan. O’Hara ka bërë të ditur se viktima ka qenë 37-vjeçar, edhe pse më herët raportohej se ai ishte 51-vjeçar.
Nuk janë dhënë detaje të tjera.
Një i vdekur nga të shtënat e agjentëve të imigracionit në Minneapolis
Një person ka vdekur pas të shtënave me armë zjarri në Minneapolis ku janë përfshirë agjentë federalë të imigracionit nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare (CBP), raporton CBS.
Guvernatori i Minnesotas, Tim Walz, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump t’i japë fund këtij operacioni.
“Sapo fola me Shtëpinë e Bardhë pas tjera të shtënave të tmerrshme nga agjentët federalë këtë mëngjes. Minnesota e ka përjetuar. Kjo është e neveritshme. Presidenti duhet t'i japë fund këtij operacioni. Tërhiqni mijëra oficerë të dhunshëm dhe të patrajnuar nga Minesota. Tani”, ka shkruar guvernatori i Minnesotas, Tim Walz.
VIDEO:
ICE agents shot and killed another person in Minneapolis this morning.
Get ICE out of Minnesota NOW.pic.twitter.com/FLnqgULUWL— Democrats (@TheDemocrats) January 24, 2026
Operacionet anti-imigracion janë pjesë e aksioneve federale për zbatimin e ligjit të imigracionit, të udhëhequra nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), me urdhër të Trumpit.
Sipas autoriteteve federale, qëllimi i këtyre operacioneve është arrestimi i personave pa status të rregulluar ligjor, si dhe i atyre që dyshohen për shkelje të ligjeve federale. Aksionet shpesh zhvillohen në bashkëpunim ose paralelisht me agjenci të tjera federale, por jo gjithmonë me policinë lokale, gjë që ka nxitur kritika në disa qytete amerikane.
Minneapolis është një nga qytetet ku autoritetet lokale kanë shprehur rezerva ndaj pranisë dhe metodave të agjentëve federalë të imigracionit, veçanërisht për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të dhunës gjatë operacioneve në zona të banuara. Më herët, një grua u vra nga të shtënat e njëri prej agjentëve të ICE-së.