Botë

Odiseja e refugjatëve drejt Evropës

Evropa ka ende një sistem azili të çorganizuar dhe jofunksional, pavarësisht përpjekjeve për reforma. Qëndrimet ndaj emigrantëve dhe refugjatëve po forcohen në të gjithë kontinentin, në një ekuilibër të vështirë midis mbrojtjes së kufijve dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Më pak se 24 orë pasi mbërritën në portin jugor të Italisë, 60 persona që kishin arritur t’i mbijetonin udhëtimit të rrezikshëm me varkë nga Libia, u urdhëruan të largoheshin.

Disa vinin nga Bangladeshi, ndërsa shumë të tjerë nga Siria dhe Egjipti. Më 6 tetor, ata u shpëtuan nga anija e shpëtimit e drejtuar nga organizata humanitare “Mjekët pa Kufij”, pasi kaluan dhjetë orë në det në dy varka të stërmbushura që mbanin gjithsej 258 persona. Varkat ndodheshin 50 kilometra nga brigjet e Libisë.

Pasi arritën në tokën e thatë në Salerno, në jug të Napolit, ata u dërguan në qendrën për procesimin e emigrantëve dhe iu kërkua të nënshkruanin dokumentet. Tani, të rraskapitur dhe të hutuar, u mblodhën para stacionit të trenit.

Kur u pyetën nga një vullnetar nga shoqata bamirëse “Caritas” nëse ishin të vetëdijshëm për atë çfarë kanë nënshkruar, ata u përgjigjën njëzëri: “Jo, jo, nuk e dinim”.

“A ju pyeti dikush nëse dëshironi të aplikoni për mbrojtje ndërkombëtare?”, pyeti vullnetari. Përsëri ata u përgjigjën: “Jo”.

Mungesa e informacionit

Situata është e zakonshme për emigrantët e sapoardhur dhe azilkërkuesit në brigjet evropiane. Duke qenë të keqinformuar nga të afërmit dhe miqtë, të mashtruar nga informacioni i pamjaftueshëm zyrtar ose shërbimet e dobëta të përkthimit, shumë nga ta marrin vendime të nxituara dhe shpesh të pakthyeshme. Ata mund të përfundojnë në procedura të gjata ligjore, të shkëputur nga çdo ndihmë e qeverisë.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, më shumë se 236,000 njerëz kanë hyrë ilegalisht në Bashkimin Evropian deri më tani këtë vit, që është 60% më shumë se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Shumica e tyre erdhën në Itali me varka.

Evropa ka ende një sistem azili të çorganizuar dhe jofunksional, pavarësisht përpjekjeve për reforma. Qëndrimet ndaj emigrantëve dhe refugjatëve po forcohen në të gjithë kontinentin, në një ekuilibër të vështirë midis mbrojtjes së kufijve dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Në fletën e shkoqur të Muhamedit, zyrtarët shkruan në arabisht, italisht dhe anglisht: “Ai nuk ka aplikuar për azil”. Ky 23-vjeçar sirian, i cili kërkoi që identiteti i tij i plotë të mbetet i pazbuluar, shtrëngoi letrën teksa po rrinte ulur në një stol, në qendrën strehimore të drejtuar nga vullnetarët ne Salerno.

Evropa Veriore, stacioni i fundit

Megjithëse azilkërkuesve të ardhur nga Siria gjithmonë u jepet azil, Muhamedi vendosi të mos aplikonte. As Italia nuk e pranon, por as ai vetë nuk e dëshiron qëndrimin në Itali. Po planifikon të shkojë në Gjermani te vëllezërit e tij.

“Unë dua të qëndroj në Gjermani. Nëse do të aplikoja për azil në Itali, do të më kthenin këtu nëse me kapnin në Gjermani”, u shpreh Muhamedi.

Ai ishte në një anije shpëtimi kur autoritetet italiane e lejuan atë të ankorohej në Salerno, një lundrim tri ditë larg ujërave të hapura të Mesdheut. Anijet e shpëtimit janë ende të detyruara të lundrojnë me ditë dhe të djegin karburant për të arritur në portet e largëta, pasi Italia nuk mund t’i ndalonte dot që t’i merrnin emigrantët.

Më 9 tetor, emigrantë nga Sudani Jugor, Bangladeshi, Gana, Bregu i Fildishtë, Egjipti dhe Siria zbarkuan në Salerno. Ata u sollën në një objekt procesimi të emigrantëve për t'ua marrë shenjat e gishtërinjve dhe për t’iu bërë fotografitë.

Pa përkthyes

Asnjë përkthyes i gjuhës bengale ose arabe nuk ishte i pranishëm kur emigrantët u morën në pyetje nga zyrtarët kufitarë, konfirmoi Associated Press nga dokumentet zyrtare dhe autoritetet lokale.

Këta emigrantë shpesh nuk janë të informuar mjaftueshëm rreth të drejtave që u takojnë për shkak të mungesës së përkthyesve gjatë procesit të identifikimit. Sipas një studimi të Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, organizatë joqeveritare, vetëm 17% e emigrantëve që mbërrijnë në Itali marrin informacion adekuat për të drejtat e tyre.

Avokatët dhe vullnetarët e “Caritasit” nxituan në stacionin e trenit të Salernos herët në mëngjes për t'u dhënë ushqim, ujë dhe këshilla ligjore emigrantëve të sapoardhur, pasi dëgjuan për dëbimin e tyre.

“Ne i informuam ata për të drejtën e tyre për të apeluar urdhrin e dëbimit”, shpjegoi Antonio Bonifacio, një nga vullnetarët në “Caritas”, “por vetëm emigrantët nga Bangladeshi dhe disa egjiptianë paraqitën ankesën me avokatët tanë, ndërsa sirianët u larguan me shpejtësi me tren për t’u përpjekur të arrinin destinacionet e tyre në Evropën Veriore, pasi kishin frikë se mos gjurmoheshin dhe ngecnin në Itali”.

Në mesin e sirianëve që planifikonin të shkonin në veri të Evropës ishte një grua 33-vjeçare nga Damasku. Kjo ishte përpjekja e saj e tretë për të arritur Evropën përmes detit pasi vëllai i saj, një student që kundërshtonte regjimin e presidentit Bashar al-Assad, u vra në burg.

Për AP ka qenë e pamundur që ta verifikojë rrëfimin e kësaj gruaje, ku flitej për një përpjekje të dytë në det në një varkë druri që u zhyt menjëherë teksa po largohej nga Tobruk në Libinë Lindore, ndërkohë që po mbante rreth 350 pasagjerë.

Ajo tregoi se kishte notuar deri në plazh. “Unë u mbajta në një qendër paraburgimi në Libi për një javë pa qasje në dush, me rrobat e mia të zhytura e të vjella. Krejt çfarë dua tani është të kontaktoj me vëllain tim në Gjermani", tha ajo.

Dështimi i sistemit

Sipas rregullave evropiane, të njohura si Rregullorja e Dublinit, emigrantët supozohet të aplikojnë për azil në shtetin e parë të BE-së ku ata hyjnë. Nëse ata udhëtojnë në një vend tjetër të BE-së dhe merren nga autoritetet, ata supozohet të kthehen në vendin e parë të mbërritjes ose regjistrimit.

Kjo paraqet një barrë të madhe sidomos për vendet që kanë marrë më shumë hyrje nga deti, si Greqia, Italia, Malta dhe Spanja.

Megjithatë, në dhjetor 2022, Italia pezulloi në mënyrë të njëanshme transferimet e emigrantëve dhe azilkërkuesve në territorin e saj. Kjo do të thotë që nëse Muhamedi shkon në Gjermani dhe kapet, ai nuk mund të kthehet në Itali. Në vend të kësaj, ai do të duhet të fillojë një kërkesë të re për azil në Gjermani.

Masat në Itali

Kryeministrja Georgia Meloni, liderja e parë e ekstremit të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka pranuar se migrimi ka qenë sfida më e madhe e vitit të saj të parë në qeveri. Në prill, qeveria e saj miratoi një procedurë të re të migrimit të shpejtë, që synonte të zgjidhte shumicën e rasteve brenda 28 ditëve.

Azilkërkuesit mbahen në ambientet e paraburgimit derisa të trajtohen rastet e tyre. Urdhrat e dëbimit u jepen atyre që zgjedhin të mos aplikojnë ose që aplikimi për vizë u refuzohet në fazën fillestare, duke u dhënë atyre shtatë ditë për t'u larguar nga vendi. Aktualisht janë 82,000 kërkesa për azil në pritje.

Teorikisht, kushdo që gjendet në tokën italiane pas datës së skadimit të urdhrit të dëbimit rrezikon deri në 18 muaj mbajtje në një qendër paraburgimi për emigrantët përpara se të dëbohet plotësisht. Duke qenë se shumë nga vendet nga të cilat janë dëbuar emigrantët nuk kanë marrëveshje riatdhesimi me Italinë, qendrat e paraburgimit janë në fakt të mbipopulluara, duke i lënë të dëbuarit në një cikël paraburgimesh dhe mungese dokumentacioni.

Gabindo, një burrë 35-vjeçar nga Bangladeshi, që ishte në të njëjtën varkë me Muhamedin, ishte kapur për herë të dytë nga autoritetet italiane pa vizë të vlefshme. Në faqen e parë të urdhrit të tij të dëbimit shkruhej: “Qendrat e paraburgimit për riatdhesimin janë plot”.

Gabindo, i cili kërkoi që emri i tij të mos publikohej nga frika e përkeqësimit të mëtejshëm të statusit të tij ligjor në Itali, u lejua të lirohej.

Shqetësimet janë ngritur nga procedura e re e përshpejtuar e Italisë se aplikantët po renditen sipas kombësisë së tyre, duke cituar një listë të kombeve të sigurta që qeveria italiane i konsideron të sigurta, si Maroku, Bregu i Fildishtë ose Nigeria, qytetarët e të cilave zakonisht do të kishin kërkesat e azilit të refuzuara.

Shqyrtimet për përshpejtimin e procedurës së azilit

Derisa Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, ra dakord në një deklaratë se "procedura më të forta dhe më të shpejta në kufi" janë të nevojshme, ajo gjithashtu theksoi se njerëzve duhet t'u jepet mundësia të tregojnë një situatë individuale pasigurie, pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës.

“Një sulm ndaj së drejtës për të marrë azil”, kështu i përshkroi procedurat e reja të përshpejtuara avokati i Shoqatës për Studime Juridike mbi Emigracionin, Maurizio Veglio.

Më tutje ai theksoi se “reduktimi i kohës për vlerësim me siguri do të ndikojë në cilësinë e shqyrtimit”.

Dëshmitë e azilkërkuesve

Pavarësisht mesazheve dekurajuese të qeverisë italiane, shumë emigrantë po zgjedhin të qëndrojnë. Alei Wuch Alei, një 21-vjeçar nga Sudani i Jugut, kaloi pesë vjet në lëvizje pasi u largua nga provinca e tij e lindjes, Warrap. Ai mbërriti në Salerno me varkën e shpëtimit të Shoqatës Mjekët pa Kufij dhe ka aplikuar për azil.

"Unë u përpoqa të kaloja detin tri herë dhe kalova shkretëtirën nga Sudani në Libi", tha ai. “Një herë humba për 3 ditë dhe më rrahën disa herë në një qendër paraburgimi në Libi. Ëndrra ime është ta vazhdoj arsimin e mëtejshëm dhe të bëhem mjek”, shtoi ai.

Burimet e jashtme do të mbeten një shtyllë kryesore e politikës së migracionit të BE-së, me bllokun që synon ndërtimin e partneriteteve me vendet afrikane dhe të Lindjes së Mesme për të ndihmuar në ndalimin e largimit të njerëzve. Vendet që konsiderohen të sigurta dhe që nuk i marrin mbrapsht qytetarët e tyre mund ta kenë më të vështirë sigurimin e vizave evropiane.

Së fundmi, Shqipëria u pajtua të strehojë përkohësisht mijëra emigrantë, ndërkohë që Italia po shqyrton rreth 36,000 kërkesa për azil çdo vit. Zyra e komisionerit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) është shprehur e shqetësuar për ndikimin e marrëveshjes në garantimin e të drejtave të njeriut dhe standardet për mbrojtjen e refugjatëve.

Pa marrë parasysh kaosin dhe konfuzionin, për ata që ia dalin të arrijnë në Evropë ekziston një fund i lumtur. Jahdh al-Ali, një refugjate siriane 58-vjeçare nga Daraa, ishte gjithashtu në anijen e shpëtimit të shoqatës “Mjekët Pa Kufij”. Ajo aplikoi për azil në Itali, por destinacioni i saj i preferuar ishte Franca.

“Kam dëshirë të shkoj te vajza ime në Francë. Do të doja që të mund të qëndroja atje pranë saj dhe të bëja diçka për popullin francez”, tha al-Ali në Salerno.

Disa javë më vonë, ajo u ribashkua përsëri me vajzën e saj, pas disa vitesh larg njëra-tjetrës.

Përktheu: Kaona Sejdiu