Zyrtarët ushtarakë të Pakistanit kanë konfirmuar të shtunën se kanë filluar kundërofensivën ndaj Indisë, nën operacionin me emrin “Bunyan Ul Marsoos”, që në arabisht do të thotë “muri prej plumbi”.

Siç raporton “The Guardian”, sulmet hakmarrëse të Pakistanit përbëjnë përshkallëzimin më të fundit të konfliktit mes dy fqinjëve të pajisur me armë bërthamore.

VIDEO:

Ushtria pakistaneze përmes një deklarate në televizionin shtetëror në orët e hershme të së shtunës ka thënë se India kishte sulmuar tre baza ushtarake në Pakistan, konkretisht bazën Nur Khan, Murid dhe Shorkot.

Baza ajrore Nur Khan në Rawalpindi, ku ndodhen selitë e ushtrisë, është rreth 10 km larg nga kryeqyteti i Pakistanit, Islamabad. Video të shpërndara në rrjetet sociale tregonin për flakë dhe tym që ngriheshin në qiell gjatë natës.

Sulmet e hershme ndaj bazës Nur Khan, në një zonë të dendur me popullsi, shkaktuan panik të madh, teksa banorët dolën me vrap në rrugë.

Të paktën 13 civilë të vrarë në Kashmirin e kontrolluar nga Pakistani

8 o. më parë / 10 maj 2025 12:26 Nga: Ideal Zhubi
Të paktën 13 civilë të vrarë në Kashmirin e kontrolluar nga Pakistani

Të paktën 13 civilë janë vrarë në rajonin e Kashmirit të administruar nga Pakistani në 12 orët e fundit, ka njoftuar autoriteti i menaxhimit të fatkeqësive në rajon, teksa India dhe Pakistani kanë shkëmbyer sulme të njëpasnjëshme pas veprimeve ushtarake të Islamabadit zyrtar kundër Indisë në orët e hershme të së shtunës.

Sipas autoritetit në fjalë, rreth 50 persona kanë mbetur të lënduar po ashtu.

India dhe Pakistani kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulme me raketa përtej kufirit ndaj objektivave ushtarake, në atë që konsiderohet si përshkallëzimi më serioz deri më tani i konfliktit mes dy fuqive bërthamore.

Të shtunën, ushtria indiane akuzoi Pakistanin për sulme ndaj dhjetëra bazave ajrore dhe shtabeve ushtarake në pjesën veriore të Indisë, duke përdorur armë me rreze të gjatë veprimi, dronë dhe avionë luftarakë.

Akuzat u bënë disa orë pasi zyrtarët e lartë pakistanezë deklaruan se India kishte lëshuar gjashtë raketa tokë-ajër që kishin në shënjestër tre nga bazat më të rëndësishme ushtarake pakistaneze në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Menjëherë pas kësaj, zyrtarët pakistanezë konfirmuan se kishin nisur kundërsulmin ndaj Indisë, nën operacionin ushtarak “Bunyan Ul Marsoos”, një shprehje nga Kurani që përkthehet afërsisht si “mur i hekurt”.

Pakistani do ta shqyrtojë ndaljen e sulmeve, nëse India vepron njësoj

11 o. më parë / 10 maj 2025 09:30
Ishaq Dar

Ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Ishaq Dar, ka bërë të ditur për një televizion lokal se nëse India ndalon sulmet atëherë edhe vendi i tij do të konsiderojë të veprojë njësoj, ka raportuar Reuters.

Kryediplomati pakistanez ka shtuar gjithashtu se i kishte thënë sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se topi ishte në fushën e Indisë sa i përket depërshkallëzimit të situatës.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Rubio i ka bërë thirrje të dyja palëve që të gjejnë mënyra për të ulur tensionet dhe të rivendosin komunikimin e drejtpërdrejtë për të shmangur keqkuptimet.

Ndërkohë, ushtria indiane përsëriti angazhimin për të mos përshkallëzuar konfliktin, për sa kohë që kjo të respektohet edhe nga ushtria pakistaneze.

Ndër të tjera, ushtria indiane ka njoftuar se ka pësuar dëme të kufizuara në pajisje dhe personel në disa baza ushtarake që u goditën nga Pakistani.

Pakistani po rrit praninë ushtarake në kufi, thotë Ushtria e Indisë

11 o. më parë / 10 maj 2025 09:10
Pakistani

Ushtria e Indisë ka deklaruar të shtunën se Pakistani është duke rritur praninë e trupave ushtarake përgjatë kufirit mes dy vendeve, ka raportuar The Guardian.

Sipas ushtrisë indiane, forcat pakistaneze janë vërejtur duke dislokuar trupat në vijën e parë të frontit, gjë që tregon “për qëllime ofensive që përshkallëzojnë më tej situatën”.

“Ushtria indiane mbetet në një gjendje të lartë gatishmërie”, thuhet më tutje në njoftim.

Forcat e armatosura indiane kanë ripërsëritur përkushtimin për mospërshkallëzim, me kusht që kjo të respektohet gjithashtu nga ushtria pakistaneze.