Shtetet gjithandej botës po u japin këshilla shtetasve të tyre që gjenden në Iran dhe Izrael, në këtë kohë të përshkallëzimit të luftimeve. Përderisa disa shtete po punojnë për evakuim të shtetasve të tyre, ka të tjera që po u rekomandojnë të strehohen.
Gjatë të martës, në Teheran raportohet se ka pasur shumë kolona të qytetarëve që janë larguar. Është dita e pestë që Irani dhe Izraeli po shkëmbejnë sulme ajrore në drejtim të njëri-tjetrit. Palët nuk kanë deklaruar se synojnë t’i ndalin sulmet në periudhë të shpejtë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Në një përditësim të hënën, Ambasada e SHBA-së u ka kërkuar të gjithë zyrtarëve dhe familjarëve të tyre në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gazë të “strehohen në vend” dhe “afër rezidencave të tyre, deri në një njoftim të radhës”. “Ambasada e SHBA-së nuk është në pozitë aktualisht që t’i evakuojë ose të asistojë direkt në largimin nga Izraeli”, thuhet në njoftim.
Për amerikanët në Iran, ambasada virtuale ka paralajmëruar qytetarët të përgatiten “për strehim për periudha më të gjata”. “Qeveria e SHBA-së nuk ka marrëdhënie diplomatike ose konsullore me Republikën Islamike të Iranit”, u tha në përditësim.
Australia: Duke folur në transmetues publik, ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, ka thënë se rreth 650 shtetas të Australisë në Iran janë regjistruar që të largohen. Rreth 600 të tjerë janë regjistruar për largim nga Izraeli, ka thënë ajo.
Wong ka shtuar se autoritetet planifikojnë t’u ndihmojnë shtetasve të tyre kur të jetë e sigurt që mund të largohen.
India: Studentët indianë në Teheran janë larguar nga qyteti, e disa po pritet të largohen nga Irani përmes Armenisë, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Indisë. Qeveria e Indisë po përpiqet të lehtësojë evakuimet për qytetarët e vet nga Irani dhe tashmë ka nisur punën për këtë.
Pakistani: Qindra studentë pakistanezë janë larguar nga Teherani pas sulmeve të vazhdueshme të Izraelit. Raportohet se qindra pakistanezë janë larguar nga Irani. Aktualisht shtetasve të Pakistanit u ndalohet të udhëtojnë drejt Iranit.
Më 13 qershor, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës këshilloi qytetarët që ndodhen në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.
