Botë

Pas javësh protesta, bie qeveria e Bullgarisë

Bullgaria

Kryeministri bullgar Rosen Zheljazakov ka dhënë dorëheqje pas javësh protestash në rrugë kundër politikave ekonomike të qeverisë dhe dështimit për të luftuar korrupsionin.

Zheljazakov e njoftoi dorëheqjen në një adresim televiziv të enjten, vetëm pak minuta para se parlamenti të votonte mocionin e mosbesimit ndaj kabinetit – pas pesë herëve të dështuara që kur kryeministri e mori detyrën më 15 janar.

Dorëheqja vjen më pak se një muaj para se Bullgaria të anëtarësohet në Eurozonë (1 janar).

Mijëra bullgarë u mblodhën të mërkurën në mbrëmje në Sofje dhe në dhjetëra qytete të tjera të vendit për të protestuar kundër qeverisë së pakicës, duke e akuzuar për mosveprim ndaj korrupsionit të rrënjosur thellë në shtetin më të varfër të Bashkimit Evropian.

Protestuesit përdorën laserë për të projektuar në ndërtesën e parlamentit fjalët “Dorëheqje”, “Mafia jashtë” dhe “Për zgjedhje të drejta”.

Javën e kaluar, qeveria kishte tërhequr projektbuxhetin e vitit 2026 — buxheti i parë i përgatitur në euro — pas protestave masive. Partitë opozitare dhe grupe të ndryshme shoqërore kundërshtuan rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksën mbi dividendët, të cilat qeveria i propozonte për të financuar shpenzimet më të larta publike.

Megjithë tërheqjen e buxhetit, protestat kanë vazhduar me intensitet të lartë në një vend që ka mbajtur shtatë palë zgjedhje të përgjithshme në katër vjetët e fundit — të fundit në tetor 2024.