Botë

WSJ: Pentagoni e ka bllokuar Ukrainën që të kryejë sulme thellë brenda Rusisë

Ukraine, Kursk

Foto: Associated Press

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes e kanë bllokuar Ukrainën nga përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-ja për të goditur objektiva brenda Rusisë që nga fundi i pranverës, si pjesë e një përpjekjeje të administratës Trump për të bindur Vladimir Putinin të angazhohet në bisedime paqeje, sipas një raporti të së shtunës.

Wall Street Journal raporton se Pentagoni e ka bllokuar Ukrainën nga përdorimi i Sistemeve të Raketave Taktike të Ushtrisë, ose Atacms, të prodhuara në SHBA. 

Dy zyrtarë amerikanë i kanë thënë gazetës se në të paktën një rast, Ukraina kishte kërkuar të përdorte Atacms kundër një objekivi, por i ishte mohuar, sipas një “mekanizmi shqyrtimi” të zhvilluar nga Elbridge Colby, nënsekretari i Pentagonit për politikën, që rregullon se si mund të përdoren armët me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së ose ato të ofruara nga aleatët evropianë që mbështeten në inteligjencën dhe komponentët amerikanë. 

Procesi i shqyrtimit vlen edhe për raketën Storm Shadoë të Britanisë, sepse varet nga të dhënat e synimit të SHBA-së, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një zyrtari britanik, ka raportuar Journal.

Sistemi i shqyrtimit thuhet se i jep sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth të drejtën e miratimit për përdorimin e Atacms, të cilat kanë një rreze veprimi prej gati 305 km. 

Ukrainës më parë i është dhënë autorizim nga administrata Biden për të përdorur sistemin e raketave kundër objektivave brenda Rusisë në nëntor, pasi trupat e Koresë së Veriut hynë në luftë.

Para inaugurimit në janar, Trumpi i ka thënë revistës Time se vendimi për të lejuar Ukrainën të përdorë sistemet e armëve amerikane për të sulmuar objektivat brenda Rusisë kishte qenë një gabim.

"Nuk pajtohem shumë me dërgimin e raketave qindra milje në Rusi. Pse po e bëjmë këtë? Ne thjesht po e përshkallëzojmë këtë luftë dhe po e përkeqësojmë atë. Kjo nuk duhej të lejohej të ndodhte”, ka thënë ai. 

Në një deklaratë për Journal, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se Trumpi "ka qenë shumë i qartë se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë. 

Por javën e kaluar, mes përpjekjeve për të ndërmjetësuar bisedimet midis presidentit rus dhe Voldomyr Zelensky, Trumpi ka thënë se Ukraina nuk mund ta mposhtte Rusinë nëse nuk mund të kryente sulme në luftë. 

“Është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar vendin e një pushtuesi”, ka shkruar Trumpi të enjten. 

“Është si një ekip i shkëlqyer në sport që ka një mbrojtje fantastike, por nuk lejohet të luajë në sulm. Nuk ka asnjë shans për të fituar”.