Botë

Pentagoni tregon se sa bombardues u përdorën në goditjen ndaj Iranit

Dan Caine

Foto: Associated Press

Kreu i shtatmadhorisë së SHBA-së, Dan Caine, ka thënë se sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran, ishte një mision shumë i klasifikuar që shumë pak njerëz e dinin për të. 

“Ky ishte mision shumë i klasifikuar me shumë pak njerëz në Washington që dinin kohën ose natyrën e këtij plani”, tha Caine. 

Ai thotë se shtatë bombarduesit B-2 ishin të përfshirë në fluturimin 18-orësh në zonën e synuar. 
Pasi bombarduesit arritën në hapësirën ajrore iraniane, një nëndetëse amerikane lëshoi dhjetëra raketa lundruese “Tomahawk” kundër objektivave kyçe në centralin bërthamor të Isfahanit. 

Gjithsej mbi 125 avionë u përfshirë, në mesin e tyre bombardues B-2, cisterna furnizimi me karburantë, aeroplanë zbulimi dhe avionë luftarakë.

Duke fluturuar nga një bazë në Missouri, misioni ishte më i gjati me B2 që nga ofensiva pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.

Ai tha se në këtë mision kishte një operacion mashtrimi ku bombardues u dërguan në Paqësor si “karrem”. 

Caine shtoi se sistemet mbrojtëse të Iranit nuk i panë bombarduesit amerikanë. 

Ai thotë se raketat Tomahawk u lansuan  për të siguruar që SHBA-ja ta ruajë "elementin e surprizës". 

“Duket se sistemet e raketave tokë-ajër të Iranit nuk na panë”, tha ai. 

Ai ka thënë se të tri objektet bërthamore në Iran kanë pësuar dëme të konsiderueshme. 

“Duhet kohë për të bërë vlerësimin final, por vlerësimi fillestar tregon se të tri objektet kanë pësuar dëme ekstreme dhe shkatërrim”, thotë Caine. 

Ai ka thënë se forcat amerikane në rajon janë në gjendje të gatishmërisë së lartë.


 

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

SHBA-ja godet Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar tri objekte...