Botë

Përpjekjet e Trumpit për paqe drejt dështimit, eskalojnë luftërat në Ukrainë e Gazë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Një muaj pas një samiti në Alaskë me udhëheqësin rus Vladimir Putin, presidenti Donald Trump ende duket i befasuar që hapi i tij nuk dha rezultate për paqen në Ukrainë.

“Ai më ka zhgënjyer”, ka thënë Trumpi këtë javë për Putinin.

Nuk ka pasur më përparim as në Lindjen e Mesme, ku kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka filluar një ofensivë të re në Qytetin e Gazës dhe po sulmon në të gjithë rajonin.

Zhgënjimi dhe frustrimi i Trumpit është shumë i ndryshëm nga besimi dhe dominimi që ai përpiqet të projektojë në skenën ndërkombëtare, veçanërisht pasi ai trumbeton përpjekjet diplomatike dhe bën fushatë për Çmimin Nobel për Paqen.

I pyetur për qëllimet e tij për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet së shpejti, presidenti deklaroi “paqe botërore”.

Por konfliktet e profilit të lartë duket se po përshkallëzohen në vend që të qetësohen.

Rusia madje ka dalë edhe përtej Ukrainës, duke praktikuar javëve të fundit shkeljen e hapësirave ajrore të shteteve përreth saj, fillimisht Polonisë, më pas Rumanisë dhe së fundmi edhe Estonisë.

Kur u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale, presidenti amerikan tha se ky mund të jetë një problem i madh.

DEK: DONAD TRUMP – PRESIDENT I SHBA-SË  (00:14)

“Nuk më pëlqen kur ndodh kjo. Mund të jetë problem i madh, por do t'ju njoftoj më vonë. Do të më informojnë’.

Estonia thirri një diplomat rus për të protestuar pasi tre avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore pa leje të premten dhe qëndruan atje për 12 minuta, sipas ministrisë së saj të Jashtme.  

Në Lindjen e Mesme, Trumpi po gjendet në mes të një situate gjithnjë e më të ndezshme. Ai ka vizituar vendet arabe, përfshirë Katarin, këtë vit për të forcuar lidhjet, dhe ka mbështetur operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë dhe Iran.

Por tani Izraeli, i inkurajuar nga suksesi i tij në fushëbetejë, po sulmon më gjerësisht në të gjithë rajonin, përfshirë sulmin e fundit që synonte zyrtarët e Hamasit në Katar.

Kjo rrezikoi negociatat të cilat Shtetet e Bashkuara janë përpjekur t’i shtyjnë përpara dhe tronditi besimin e udhëheqësve arabë në aftësinë e Trumpit për të ndikuar, e lëre më për të frenuar Netanyahun.

Disa prej tyre tani e shohin Izraelin, jo Iranin, si kërcënimin e tyre kryesor për sigurinë, sipas tre diplomatëve arabë në njohuri për bisedat në samitin e fundit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit në Doha, të cilët kanë folur për Associated Press.

Është një ndryshim i dukshëm pasi Izraeli dhe vendet arabe u afruan gjatë mandatit të parë të Trumpit, kur presidenti republikan mbështeti Marrëveshjet e Abrahamit

E në Evropë, Trumpi i ka frustruar kritikët me qasjen e paqartë ndaj Putinit, duke sugjeruar ndonjëherë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është po aq përgjegjës për luftën të cilën Moska e nisi më 24 shkurt të vitit 2022.