Botë

Pesë të plagosur, përfshirë një fëmijë, nga një sulm ukrainas pranë Moskës

Pesë të plagosur, përfshirë një fëmijë, nga një sulm ukrainas pranë Moskës

Një dron ukrainas goditi një ndërtesë banimi në qytetin Krasnogorsk, në veriperëndim të Moskës, duke plagosur pesë persona, mes tyre edhe një fëmijë, bëri të ditur guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, raporton AP.

Më vonë gjatë ditës së premte, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar edhe tre dronë të tjerë që po i afroheshin kryeqytetit. Për shkak të sulmeve, fluturimet në dy aeroporte të Moskës u pezulluan përkohësisht.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjatë natës, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan gjithsej 111 dronë ukrainas në disa rajone të vendit.

Në rajonin e Rostovit, ku thuhet se u rrëzuan 34 dronë, sulmet shkaktuan disa zjarre dhe lanë pa energji elektrike rreth 1.500 banorë në qytetin Novoshakhtinsk.

Në rajonin e Krasnodarit, dronët shkaktuan dëme në tetë shtëpi private.
Për shkak të sulmeve, edhe tre aeroporte të tjera ruse pezulluan përkohësisht fluturimet.