Botë

Plani sekret i Putinit për të shmangur “qiellin bërthamor” të Evropës për takim me Trumpin

Vladimir Putin - Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të nisë një udhëtim të rrallë dhe kompleks drejt Alaskës në mes të gushtit, për të diskutuar me presidentin amerikan, Donald Trump, se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

Takimi i 15 gushtit shënon moment të rëndësishëm në raportet e ashpërsuara SHBA-Rusi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk pritet të marrë pjesë. E Trumpi ka thënë se lideri ukrainas do ta thërrasë të parin në bisedë më pas për ta informuar për diskutimet.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 2022, shtetet e NATO-s dhe aleatët e tyre kanë armatosur hapësirat ajrore dhe kanë mbyllur korridoret që lidhin Rusinë me Perëndimin.

SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe shumica e shteteve evropiane kanë ndaluar fluturimin e aeroplanëve rusë në qiellin e tyre. Kjo ka detyruar Putinin që ta devijojë rrugën nëpër krejt hemisferën perëndimore, duke marrë rrugë të re.

Për shkak të pezullimit të fluturimeve nga NATO-ja dhe shtetet aleate, rruga që Putini do të shfrytëzojë për të kaluar në Alaskë është nëpërmjet Ngushticës së Beringut në mes të Rusisë dhe Alaskës. Qeveria e SHBA-së ka garantuar leje të veçantë fluturimi për liderin rus që të kalojë në qiellin e Amerikës.

Putini mund të fluturojë nga gadishulli i largët i Çukotkës në Rusi, mbi këtë ngushticë, si kanal që ndan Rusinë me Alaskën, duke anashkaluar qiellin e kontrolluar nga NATO-ja. Megjithatë edhe ky korridor i ngushtë kërkon përjashtim diplomatik të veçantë.

Alaska është shtet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veriperëndim të kontinentit të Amerikës së Veriut dhe kufizohet me Kanadanë. Pjesa e saj perëndimore është më e afërta me Rusinë nëpërmjet ngushticës së Beringut.