Rusia ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj Ukrainës nga nata e së shtunës deri në orët e para të mëngjesit të së dielës, me fokus të veçantë qytetin perëndimor të Lvivit, pranë kufirit me Poloninë.
Sipas autoriteteve ukrainase, dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën nga sulmet në rajonin e Lvivit. Kryetari i rajonit, Maksym Kozytskyi, konfirmoi viktimat, ndërsa tha se mbrojtja ajrore ishte angazhuar intensivisht për të zmbrapsur sulmet e njëpasnjëshme me dronë dhe raketa.
Ndërkohë, Polonia, fqinji perëndimor i Ukrainës dhe anëtare e NATO-s, njoftoi se ka ngritur avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore, si reagim ndaj intensitetit të sulmeve. “Avionët polakë dhe aleatë janë duke operuar në hapësirën tonë ajrore, ndërsa sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe radarët janë vendosur në gjendje të gatishmërisë së lartë,” njoftoi Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake në një postim në platformën X.
Në qytetin e Zaporizhzhias, një tjetër goditje ruse gjatë natës ka lënë të vdekur një person dhe ka plagosur nëntë të tjerë, përfshirë një vajzë 16-vjeçare, sipas guvernatorit rajonal Ivan Fedorov. Sulmi ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, duke lënë mbi 73 mijë konsumatorë pa energji elektrike. Pamje të publikuara nga vendngjarja tregojnë një ndertësë të dëmtuar rëndë dhe automjete të djegura.
Rreth orës 05:10 të mëngjesit me orën lokale, i gjithë territori i Ukrainës ishte nën alarm ajror për shkak të paralajmërimeve nga Forcat Ajrore të Ukrainës për një valë të re sulmesh me raketa dhe dronë rusë.
Në Lviv, që ndodhet vetëm 70 kilometra nga kufiri me Poloninë, kryetari i qytetit Andriy Sadovyi tha se mbrojtja ajrore ishte angazhuar fillimisht kundër një sulmi me dron dhe më pas kundër një rakete ruse. Ai njoftoi se një pjesë e qytetit mbeti pa energji elektrike dhe transporti publik nuk funksiononte në mëngjesin e së dielës. “Është e rrezikshme të dilni në rrugë,” paralajmëroi ai në Telegram.
Këto sulme vijnë pak ditë pasi një zyrtar amerikan deklaroi se SHBA-ja do të mbështesë goditjet ukrainase në thellësi të territorit rus, një qëndrim që mund të ketë nxitur përshkallëzimin e fundit nga Moska.
Rusia ka intensifikuar në javët e fundit sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke e lënë vendin nën presion të vazhdueshëm në prag të dimrit.