Socialisti i moderuar Antonio Jose Seguro ka fituar një fitore bindëse në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Portugalisë të dielën, duke triumfuar ndaj kundërshtarit të tij të ekstremit të djathtë, Andre Ventura, partia Chega e të cilit ka arritur megjithatë të marrë një përqindje rekord votash.
Seguro ka fituar 66.8% të votave kundrejt 33.2% të Venturës në zgjedhje, të cilat u zhvilluan pavarësisht disa stuhive vdekjeprurëse.
Votimi për të zgjedhur pasardhësin e presidentit në largim, Marcelo Rebelo de Sousa, u shënua nga një mobilizim ndërpartiak për të shmangur mundësinë e një fitoreje të Chegas.
Disa figura të larta të së djathtës mbështetën kandidatin e qendrës së majtë për të penguar hyrjen e Venturës në pallatin presidencial.
“Përgjigjja që populli portugez dha sot, angazhimi i tij ndaj lirisë, demokracisë dhe të ardhmes së vendit tonë, më lë krenar për kombin tonë”, ka thënë Seguro pas fitores.
Ndërkohë Ventura, ish-komentator futbolli, kolumnist, seminarist dhe romancier, i cili themeloi Chegan shtatë vjet më parë, ka thënë se rezultati tregon se “mesazhi i popullit portugez është i qartë”, duke shtuar se Chega tani është partia kryesore e së djathtës dhe se “së shpejti do të qeverisë Portugalinë”.
Të dielën para shpalljes së rezultatit, ai ka akuzuar “të gjithë sistemin politik” se ishte bashkuar kundër tij.
Rezultati i Chegas e tejkalon ndjeshëm 22.8% që partia kishte fituar në zgjedhjet e përgjithshme të majit të kaluar.