Një hulumtim i CNN-it ka gjetur se banorët e Mariupolit të pushtuar, duke përfshirë edhe fëmijët e shkollave, janë duke u trajnuar në programe mediatike dhe “shkolla blogerësh” që kanë lidhje me shtetin rus. Edhe pse ndjekësit e tyre nuk janë aq të shumtë në krahasim me influencuesit e famshëm, ekspertët thonë se Kremlini ka nevojë për zëra lokalë për të promovuar në mënyrë efektive jetën nën sundimin rus.
Tre vjet pasi mori kontrollin e Mariupolit pas një rrethimi brutal 86-ditësh, Rusia është duke përdorur një fuqi më të ashpër për të forcuar praninë e saj në qytetin port ukrainas: përmes influencuesve mediatikë.
Një hulumtim i CNN-it ka gjetur se banorët e qytetit të pushtuar, duke përfshirë edhe fëmijët e shkollave, janë duke u trajnuar në programe mediatike dhe “shkolla blogerësh” që kanë lidhje me shtetin rus.
Edhe pse ndjekësit e tyre nuk janë aq të shumtë në krahasim me influencuesit e famshëm, ekspertët thonë se Kremlini ka nevojë për zëra lokalë për të promovuar në mënyrë efektive jetën nën sundimin rus.
“Vetëm shikoni se çfarë po ndërton Rusia në Mariupol”, ka thënë Pavel Karbovsky, mësues në një nga shkollat e blogerëve, në një video të kohëve të fundit në rrjetin social TikTok duke iu referuar ndërtimit të apartamenteve të reja. “Prit, ata janë duke ndërtuar, jo duke shkatërruar… ky është Mariupoli, qyteti ynë rus”.
Karbovsky është në mesin e numrit në rritje të krijuesve të përmbajtjeve duke krijuar një pikëpamje për rindërtimin e qyteteve dhe qytezave përgjatë katër rajoneve ukrainase të pushtuara nga Rusia në vitin 2022 – Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporzhizhia. Ai tha se nuk është duke operuar si një propagandues dhe se misioni i tij është të “shfaqë të vërtetën” rreth jetës në zonat e okupuara nga Rusia.
Por zyrtarët okupues të mbështetur nga Rusia janë angazhuar në mënyrë aktive që të inkurajojnë krijues të përmbajtjeve si Karbovsky të postojnë rreth rindërtimit të territoreve të “çliruara”, duke përfshirë edhe në takimet zyrtare.
Në janar, Karbovsky ishte në mesin e një grupi të krijuesve të përmbajtjeve të ftuar për t’u takuar me Denis Pushilin, kreun e Republikës Popullore të Donetskut (DPR) të mbështetur nga Rusia. Përmes një deklarate në “Telegram”, Pushilin tha se është duke “llogaritur” mbi grupin për të shpërndarë fjalën se rajoni lindor i Donbasit është duke “u ringjallur”.
Janë analizuar një duzinë profilesh të influencuesve lokalë që promovonin projektin e Moskës për rusifikim në Mariupol në platformat e mediave sociale. Disa prej tyre janë prorusë të hapur dhe fajësojnë Ukrainën për dhunën në rajon. Pavarësisht audiencave të tyre modeste – që variojnë nga 3,000 deri në 36,000 ndjekës në TikTok – përmbajtja e tyre e fokusuar në rindërtim mund të gjenerojë qindra mijëra shikues.
Por në videot e tyre mungon konteksti mbi arsyen e rindërtimit.
Rrethimi rus i qytetit port, më herët i njohur si një zonë për tregtim dhe prodhim, ishte një nga betejat më shkatërruese dhe vdekjeprurëse qëkur Moska filloi pushtimin e plotë të Ukrainës tre vjet më parë.
Sipas përllogaritjeve të Kombeve të Bashkuara, 90% e ndërtesave të banueshme në Mariupol janë dëmtuar apo shkatërruar gjatë sulmeve ruse, dhe rreth 350,000 prej 430,000 banorëve të paraluftës janë detyruar të braktisin vendin. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një interviste ka deklaruar se besohet se janë vrarë 20,000 persona, edhe pse është e pamundur të vërtetohet se sa persona janë vrarë.
“Moska synon të pengojë rrjedhën e informacionit për shkatërrimin e tmerrshëm të sjellë nga ushtria ruse”, ka deklaruar Ihor Solovey, drejtor në Qendrën për Komunikime Strategjike dhe Siguri të Informacionit në qeverinë ukrainase. Për të kundërshtuar këtë ai tha se Ukraina është duke u munduar të transmetojë edhe më shumë fakte për krimet e pushtueseve”.
Për Moskën, mbajtja e Mariupolit nën kontroll mbetet prioritet strategjik. “Jemi duke i kushtuar shumë vëmendje Mariupolit”, ka deklaruar presidenti rus, Vladimir Putin, në dhjetor. Në mars të 2023-tës, ai organizoi një udhëtim në qytet, duke diskutuar përpjekjet e “restaurimit” me zyrtarët lokalë. Në një video që qarkulloi në internet, ku ai takohej me banorët, një zë jashtë kamerës mund të dëgjohej duke bërtitur: “Janë të gjitha gënjeshtra, është vetëm për shfaqje”.
Derisa ndërtimi po vazhdon, analiza e imazheve satelitore, intervistave me banorët dhe videot e postuara në rrjetet sociale kanë treguar që akoma mbetet shkatërrim i madh. Shumë që kanë humbur shtëpitë e tyre në vitin 2022 akoma nuk janë ristrehuar dhe kualiteti i ri i strehimit shpesh nuk është adekuat. Banorët thonë se autoritetet ruse po ashtu janë duke konfiskuar shtëpi nga ukrainasit që janë larguar nga qyteti për t’ia dhënë tjetërkujt.

Trajnimi i zërave të rinj
Në shtator, një organizatë me emrin Donbass Media Center (DMC) ka hapur “shkollën e blogerëve” në Mariupol. Ajo ofron kurse falas dyjavore të dizajnuara për t’iu dhënë influencuesve aspirues një bazë teknike në aftësi si filmim dhe editim, si dhe një kuptim se si të marrin popullaritet dhe të bëjnë para online.
Kurse të njëjta janë mbajtur më herët në Donetsk dhe Luhansk, dhe një tjetër në Melitopol, në pjesën e okupuar të Zaporizhzhias. Karbovsky ishte njëri nga mësuesit.
“Unë e di si të arrij shikime, dhe të krijoj përmbajtje, prandaj u ftova për t’i mësuar të rinjtë nga 16 deri në 22 vjeç”. As Karbovsky e as koordinatorët e shkollave nuk kanë treguar se kush e financon programin, por duket se e ka mbështetjen e heshtur të qeverisë ruse.
DMC-ja është krijuar nga Donbass Media, një kanal prorus i lajmeve që më së shumti operon në mediat sociale. Në vitin 2024, DMC ka fituar çmimin “Runet”, një çmim kombëtarë i Federatës ruse dhe Fondit Presidencial për Iniciativa Kulturore që e feston përsosmërinë në internetin rus. Po ashtu ka një bashkëpunim me “Top Blog”, garë për krijuesit e përmbajtjeve të kontrolluara nga një program i Kremlinit me emrin “Rusia – toka e mundësive”. Vitin e kaluar, studentët më të suksesshëm të DMC-së kanë fituar një udhëtim për në Moskë për të vizituar selinë e Vkontakte, versionin rus të Facebookut.
Vkontakte është ndër disa rrjete sociale ruse në pronësi të Gazprom-Media shtetërore. Kremlini ka rritur kontrollet e mediave sociale gjatë viteve të fundit, përmes pronësisë, ngadalësimit të internetit dhe së fundmi përmes legjislacionit që i detyron influencuesit me mbi 10,000 ndjekës të regjistrojnë detajet personale me rregullatorin medial të Rusisë, Roskomnadzor.
Karbovsky tha se qëllimet e DMC-së nuk janë politike. “DMC-ja nuk ka qëllime të tilla që në njëfarë mënyre të krijojë propagandistë – nuk ka gjasa. Ne nuk kemi nevojë për këtë. Ne duam që njerëzit të jenë në gjendje të shpërndajnë pikëpamjet e ndryshme rreth asaj se çfarë po ndodh në DPR (Republikën Popullore të Donetskut), në LPR (Republikën Popullore të Luhanskut) dhe rajone të tjera”, tha ai.
Muajin e njëjtë që DMC hapi shkollën e vet të blogerëve në Mariupol, të diplomuarit e një programi të qeverisë ruse, që quhej “The New Media Workshop”, hapën një qendër mediale në Mariupol për t’ua mësuar fëmijëve nga mosha 14 deri në 17 vjeç fotografinë, filmimin dhe si të “punojnë në rrejtet sociale”. Programi pa pagesë financohet pjesërisht nga granti presidencial rus që vlen rreth 12,000 dollarë. Pjesëmarrësit inkurajohen të tregojnë pjesën pozitive të Mariupolit.
“Ne po shikojmë të mirëpresim fëmijë të talentuar, që bashkë të mund të flasim rreth jetës në qytetin tonë të dashur”, shkruhet në një postim të programit në Telegram. Në një postim tjetër, një pjesëmarrës në kurs interviston fëmijë rreth asaj se si ka ndryshuar Mariupoli. “Është bërë shumë më interesant, më shumëngjyrësh”, thotë një vajzë e re. “Po zhvillohet me shpejtësi”, shton shoqja e saj.
Në mars, Rutube – alternativë e Youtubes në pronësi e Gazprom-Media – njoftoi se është duke ndërtuar “studio” në qytetet dhe qytezat përreth katër rajoneve të pushtuara, duke përfshirë Mariupolin, ku krijuesit e përmbajtjeve mund të qasen në pajisje të teknologjisë së lartë dhe programeve të trajnimit. Iniciativa është pjesë e një projekti të përbashkët me Shoqërinë Historike të Ushtrisë Ruse, që është krijuar nga Putini me dekret presidencial në vitin 2012 për t’i “kundërshtuar përpjekjet për të devijuar” historinë e ushtrisë ruse.
“Bota tani më të vërtetë ka nevojë për të vërtetën rreth jetës së qytetarëve të rinj rusë që kanë kaluar shumë... por zgjodhën të flasin rusisht, mendojnë dhe ëndërrojnë në rusisht”, ka deklaruar njëri nga organizatorët gjatë një konference për media.
Andrei Soldatov, një ekspert në shërbimet ruse të inteligjencës dhe mbikëqyrjes shtetërore në internet, thotë se nuk ka dyshim se kush është duke i drejtuar këto përpjekje. “Është e nivelit më të lartë, nuk është rajonale, nuk vendoset në nivelin, të themi, të administratave të territoreve të okupuara. Është e gjitha për Kremlinin”, deklaroi ai.
Mesazhe delikate
Shumica e llogarive në mediat sociale të analizuara filluan të postojnë pas pushtimit rus dhe të shpërndajnë përmbajtjen me temën e njëjtë: portretizimin e përpjekjeve ruse për rindërtim në Marupol si diçka pozitive.
“Kur i dëgjova njerëzit të thonë se Mariupoli ishte një qytet i keq, që asgjë nuk ka mbetur nga ai, doja të tregoja se qyteti është i gjallë, është duke u ringjallur, dhe kjo është arsyeja pse fillova të shfaqja se çfarë po ndodh më të vërtetë këtu”, ka deklaruar, Elizaveta Chervyakova, e diplomuar nga DMC Mariupol.
Një nga videot e saj më të famshme, me mbi 177,000 shikime, është një montazh e ndërtesave të dëmtuara dhe të rindërtuara në qytet me një zë që thotë: “Mariupol – kryeqyteti bregdetar i Rusisë jugore”. Ajo tha se postimi për rindërtimin e rajonit është duke u bërë trend.
“Shiko sa bukur”, një krijuese e përmbajtjes, e njohur si “Masha nga Mariupol” thotë në një video TikToku që shfaq blloqe të reja të apartamenteve të ndërtuara. “Këto apartamente janë të mbushura me njerëz të lumtur ... një rajon i mrekullueshëm për jetë familjare”.
Në klipe të tjera ajo pozon para një memoriali të luftës, bën një turne te stacioni hekurudhor i rihapur dhe tregon punimet në Teatrin e Dramës, ku qindra civilë u vranë në një sulm ajror rus.
“Kjo është për ata që mendojnë se Mariupol është ukrainas. Kujtojeni është përgjithmonë rus”, shkruan në një përshkrim të një postimi. Masha, e njohur shumë mirë në rrethet proruse, por pa lidhje me “shkollat e blogerëve”, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.
Sipas Soldatov influencuesit lokalë janë kyç në përpjekjet e Rusisë për të fituar mbështetje në Ukrainën e pushtuar, ku audiencat janë më pak të ndjeshme ndaj propagandës kryesore.
“Ju nuk mund të përdorni automatikisht zërat që janë të njohur për rusët që jetojnë në Rusinë qendrore apo Siberi ose Moskë, ti duhet të gjesh zëra lokalë që kuptojnë se si të flasin me njerëzit që jetojnë në këto territore”, ka deklaruar ai.
Imazhet satelitore të rishikuara në prill të 2022-tës dhe mars të 2025-s tregojnë se Moska ka mbledhur burime për rindërtimin dhe rusifikimin e pjesëve të qytetit, duke ndërtuar një akademi të re detare të lidhur me atë në Shën Petersburg, një memorial të madh për të kujtuar “çliruesit e Donbasit”, dhe lagje komplet të reja.
Çatitë e shndritshme të blloqeve të apartamenteve të restauruara, ose në disa raste të ndërtuara rishtas, janë të dukshme të shpërndara në qendër të qytetit dhe përreth saj, të cilat kryesisht kanë zëvendësuar ndërtesat e shkatërruara në luftë, tregojnë imazhet satelitore të fundit të vitit 2024.
Në dhjetor, Putini pretendoi se të paktën 300,000 persona janë kthyer në Mariupol dhe tha se “popullata po vazhdon të rritet me një shkallë të shpejtë”. Në mars ai ka nënshkruar një dekret që i urdhëron të gjithë banorët e katër rajoneve të marrin një pasaportë ruse deri më 10 shtator ose të largohen.
Kryetari në azil i Mariupolit, Vadym Boichenko, ka thënë se vetëm rreth 100,000 ukrainas mendohet se janë në qytet – duke përfshirë disa që janë larguar gjatë rrethimit dhe janë rikthyer.
Boichenko shtoi se ai beson se rusët janë duke u joshur për të shkuar aty jo vetëm përmes storieve të lajmeve pozitive dhe postimeve të mediave sociale, por edhe nga norma preferenciale e kredisë hipotekare prej 2% e Rusisë për “territoret e saj të reja” - një zbritje e rëndësishme në një vend ku normat e kredisë aktualisht janë deri në 29%.
Rusia ka premtuar të ofrojë kompensim për strehim për të gjithë ata që janë ndikuar nga lufta, por në videot që po qarkullojnë në Telegram, grupet e banorëve në Mariupol pretendojnë se ata akoma nuk i kanë marrë apartamentet e tyre dhe kanë dërguar apele direkte te Putini për shtëpi.
Në një video që u shfaq në janar, disa mbanin shenja që thoshin njerëz të pastrehë. Një person thotë se atyre po u ofrohen apartamente të banorëve që janë larguar nga Mariupoli.
Kryetari i Mariupolit i vendosur nga rusët ka deklaruar se disa banorëve do t’iu jepen prona të “braktisura”, efektivisht duke ua hequr të drejtën për t’u kthyer atyre që janë larguar.
Në imazhet satelitore të adresave të përmendura në video, shihet se në një lokacion, as një kilometër nga fabrika e shkatërruar e çelikut, “Azovstal”, një bllok ndërtesash u pastrua, duke lënë vetëm themelet. Por në rrugët aty pranë, rindërtimi është duke u zhvilluar.
Dy banorë të Mariupolit - një çift që u largua nga qyteti nëntorin e kaluar dhe i cili planifikon të kthehet - thanë se çmimet e apartamenteve të reja janë aq të larta saqë asnjë ukrainas nuk mund t’i përballojë dhe se kanë probleme serioze me kualitet.
Lagjja e re e sapondërtuar “Nevsky”, të cilën e vizitoi Putini në vitin 2023, për shembull, nuk është lidhur me sistemin e ujërave të zeza, thanë ata.
Ata shtuan se postimet nga krijuesit e përmbajtjeve nuk e portretizojnë me saktësi realitetin në Mariupol. “U drejtohen njerëzve që nuk jetojnë (në Mariupol) dhe nuk e dinë të gjithë këtë situatë”, tha gruaja.
Dhe krijuesit prorusë të përmbajtjeve nuk mund ta rishkruajnë historinë, shtoi Boichenko. “Kjo propagandë, këto klipe të sajuara që po bëhen tani në Mariupol, nuk do të ndihmojnë. Rusia ka kryer një krim në Mariupol dhe njerëzit e Mariupolit e dinë këtë”, tha ai.