Presidenti rus, Vladimir Putin ka riafirmuar "miqësinë" e tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, përpara bisedimeve të tij me Donald Trumpin të premten.
Putin dhe Kim kanë zhvilluar një bisedë telefonike të martën, gjatë të cilës udhëheqësi rus ka vlerësuar mbështetjen ushtarake të Phenianit për luftën e vendit të tij kundër Ukrainës.
Këtë javë, Rusia ka bërë përparime të reja ushtarake në Ukrainë, duke çuar në një sulm të papritur pranë qytetit lindor të Dobropillia dhe duke përparuar 10 km në një periudhë të shkurtër kohore, raporton BBC.
Kim dhe Putin "riafirmuan angazhimin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit", thuhet në një deklaratë të Kremlinit.
Putini sipas Kremlinit, i ka dhënë udhëheqësit të Koresë së Veriut një përditësim mbi përgatitjet e samitit të Alaskës, duke ndarë me të "informacion në kontekstin e bisedimeve të ardhshme me presidentin e SHBA-së Donald Trump".
Biseda ndërmjet dy liderëve vjen vetëm pak para se udhëheqësi rus të udhëtojë në Alaska për të takuar Trumpin, takimi i tij i parë ballë për ballë me një president amerikan që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Lufta e cila i ka shkaktuar Rusisë izolim pothuajse të plotë ekonomik dhe diplomatik nga Perëndimi, ka bërë që të ketë një rritje të bashkëpunimit midis Moskës dhe Phenianit. Të paktën 10,000 ushtarë të
Koresë së Veriut janë dërguar për të luftuar krah për krah me homologët e tyre rusë, sipas Ukrainës dhe Koresë së Jugut.
Koreja e Veriut i siguroi gjithashtu Rusisë raketa, predha artilerie dhe punëtorë.