Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara do ta furnizonin Ukrainën me raketa Tomahaëk për sulme me rreze të gjatë veprimi thellë në Rusi, atëherë kjo do të çonte në shkatërrimin e marrëdhënieve të Moskës me Uashingtonin.
Më pak se dy muaj që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua me Putinin në një samit në Alaska, paqja duket edhe më larg teksa forcat ruse po vazhdojnë të përparojnë në Ukrainë, dhe dronët rusë dyshohet se po shjelin hapësirën ajrore të NATO-s.
Trumpi ka thënë se është i zhgënjyer me Putinin që nuk bëri paqe, dhe e ka quajtur Rusinë si një "tigër letre" për dështimin në nënshtrimin e Ukrainës.
Putini javën e kaluar është kundërpërgjigjur, duke vënë në pikëpyetje nëse NATO-ja nuk ishte "tigri i letrës" për dështimin në ndalimin e përparimit të Rusisë.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka thënë muajin e kaluar se Uashingtoni po shqyrtonte një kërkesë të Ukrainës për të marrë raketat Tomahaëk me rreze të gjatë veprimi që mund të godisnin thellë në Rusi, përfshirë Moskën, megjithëse nuk është e qartë nëse është marrë një vendim përfundimtar.
“Kjo do të çojë në shkatërrimin e marrëdhënieve tona, ose të paktën në trendet pozitive që kanë dalë në këto marrëdhënie”, ka thënë Putini në një videoklip të publikuar të dielën nga gazetari i televizionit shtetëror rus, Pavel Zarubin.
Wall Street Journal raportoi javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara do t'i japin Ukrainës informacione mbi objektivat e infrastrukturës energjetike me rreze të gjatë veprimi në Rusi, ndërsa po peshon nëse do të dërgojë raketa në Kiev që mund të përdoren në sulme të tilla. Dy zyrtarë e kanë konfirmuar raportin e Journal për Reuters.
Por një zyrtar amerikan dhe tre burime të tjera i kanë thënë Reuters se dëshira e administratës Trump për të dërguar raketa Tomahaëk me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë mund të mos jetë e zbatueshme sepse inventarët aktualë janë të angazhuar për Marinën Amerikane dhe përdorime të tjera.
Raketat lundruese Tomahaëk kanë një rreze veprimi prej 2,500 kilometrash, që do të thotë se nëse Ukraina merr raketat, atëherë Kremlini dhe e gjithë Rusia evropiane do të jenë brenda objektivit.
Putini ka thënë të enjten se ishte e pamundur të përdoreshin Tomahaëk pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të personelit ushtarak amerikan dhe kështu çdo furnizim me raketa të tilla në Ukrainë do të shkaktonte një "fazë të re të përshkallëzimit".