Botë

SHBA-ja dhe Rusia po hartojnë planin për fundin e luftës bazuar në kapitullimin e Ukrainës

Vladimir Putin dhe Donald Trump

Vladimir Putin dhe Donald Trump gjatë takimit në Alaska, 15 gusht 2025

Foto: Associated Press

Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë hartuar në heshtje një plan të ri për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili do t'i kërkonte Kievit zyrtar të dorëzonte territor dhe të kufizonte ndjeshëm madhësinë e ushtrisë së saj, u raportua të mërkurën, ndërsa sulmet ruse me dronë dhe raketa vranë të paktën 25 persona në qytetin perëndimor të Ternopilit.

Drafti i planit, i cili thuhet se u zhvillua nga i dërguari i Donald Trumpit, Steve Witkoff, dhe këshilltari i Kremlinit Kirill Dmitriev, do të detyronte masa “drakoniane” mbi Ukrainën që do t'i jepnin Rusisë kontroll të paparë mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit. Plani ka të ngjarë të shihet si dorëzim nga Kievi zyrtar, raporton The Guardian.

Të dy burrat kanë formuar një kanal të rëndësishëm, por jozyrtar, midis Moskës dhe Uashingtonit, dhe nuk është e qartë nëse administrata Trump e ka mbështetur zyrtarisht planin.

Financial Times dhe Reuters raportuan se propozimi do t'i kërkonte Ukrainës të dorëzonte territorin që kontrollon në lindje të vendit dhe të përgjysmonte madhësinë e ushtrisë së saj, kushte që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në të kaluarën i ka quajtur të papranueshme. Kushte të tjera përfshijnë kufizimin e ndihmës ushtarake amerikane dhe kategoritë e armatimeve të përdorura nga ushtria ukrainase.

Ekzistenca e planit 28-pikësh, i cili duket se është frymëzuar nga një propozim i ngjashëm që administrata Trump e ka zhvilluar për t’i dhënë fund luftës në Gazë, u raportua për herë të parë nga Axios. Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur ende një kërkese të Guardian për më shumë detaje mbi propozimin.

Washingtoni ka sugjeruar vazhdimisht se është afër një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, por propozimet kanë dështuar sepse ato do parashihin t'i plotësonin Rusisë shumicën e kërkesave të saj, nërsa do të kërkonin që Kievi zyrtar të bënte lëshime të dhimbshme.

Të mërkurën në mbrëmje, sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, dukej sikur iu përgjigj raporteve të planit duke thënë se një paqe e qëndrueshme do të kërkonte që "të dyja palët të bien dakord për lëshime të vështira, por të nevojshme".

"Kjo është arsyeja pse ne jemi dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë një listë idesh të mundshme për t'i dhënë fund kësaj lufte bazuar në kontributin nga të dyja palët e këtij konflikti", ka shkruar Rubio në X.

Raportet për planin erdhën ndërsa Rusia nisi një sulm masiv në Ukrainën perëndimore duke synuar disa ndërtesa shumëkatëshe në qytetin e Ternopil, si dhe objektet e energjisë në Ivano-Frankivsk dhe Lviv.

Rusia po kryen sulme sistematike për të shkatërruar infrastrukturën civile të energjisë së Ukrainës përpara dimrit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën në përpjekje për të “ringjallur negociatat” dhe për të siguruar një “paqe të drejtë” për Ukrainën, i ka kërkuar aleatëve të Kievit të intensifikojnë presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund pushtimit të saj gati katërvjeçar, duke përfshirë edhe ofrimin e më shumë raketave të mbrojtjes ajrore.

Ukraina: Propozimi i paqes SHBA–Rusi është absurd dhe i papranueshëm

3 j. më parë / 20 nën 2025 18:42
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Plani ri për paqe mes Rusisë dhe Ukrainë i hartuar nga zyrtarët amerikanë dhe rusë është hedhur poshtë si “absurd” dhe i papranueshëm nga zyrtarët në Kiev, në kuadër të bisedimeve midis Volodymyr Zelenskyt dhe një delegacioni të lartë të ushtrisë amerikane, raporton “The Guardian”.

Ata thanë se propozimi, i hartuar nga Kirill Dmitriev, aleat i afërt i Vladimir Putinit, dhe i dërguari i posaçëm i Donald Trumpit, Steve Witkoff, ishte “provokim”, që synonte të shkaktojë përçarje dhe të “çorientojë” aleatët e Ukrainës.

“Nuk ka aktualisht asnjë shenjë se Kremlini është gati për negociata serioze. Putini po përpiqet të fitojë kohë dhe të shmangë sanksionet amerikane”, tha Oleksandr Merezhko, kryetar i komisionit parlamentar të politikës së jashtme të Ukrainës. Ai e cilësoi Dmitrievin si “askush”.

Zëvendësministri i parë i jashtëm i Ukrainës, Sergiy Kyslytsya, e quajti nismën jorealiste. Ai sugjeroi se bëhet fjalë për një operacion informacioni klasik në stilin sovjetik për të ndikuar opinionin dhe për të përhapur panik.

E zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë mbërritur në Ukrainë për të “diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës” me Rusinë, njoftoi ushtria amerikane.

Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, zhvilloi bisedime me kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko, dhe pritet të takohet më vonë me presidentin Volodymyr Zelensky.

Sipas raportimeve të enjten, amerikanët dhe rusët në heshtje kanë hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. E sipas këtij plani, Kievit do t’i kërkohet dorëzimi i territoreve dhe kufizim i madhësisë së ushtrisë.

Moska e mohon se ka një plan SHBA-Rusi për paqen në Ukrainë

3 j. më parë / 20 nën 2025 13:56
peskov

Photo: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të enjten se “nuk ka konsultime që po zhvillohen aktualisht” me SHBA-në për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

Komentet e tij erdhën pasi media të ndryshme raportuan ekzistencën e një plani të tillë.

“Sigurisht që ka kontakte, por procese që mund të quhen konsultime nuk janë duke u zhvilluar”, u ka thënë Peskov gazetarëve në një konferencë telefonike, ndërsa qarkulluan raportime rreth një propozimi të ri SHBA-Rusi.

Peskov ka përsëritur se “nuk kemi asgjë të re për të shtuar në atë që u tha në Anchorage” në gusht, kur u takuan presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ai ka theksuar se Rusia “mbetet e hapur” për t’i dhënë fund operacionit ushtarak, por ka shtuar se “zgjidhja duhet të çojë në eliminimin e shkaqeve rrënjësore të këtij konflikti”.

BE: Çdo plan paqeje për Ukrainën duhet të ketë miratimin e Kievit dhe Evropës

3 j. më parë / 20 nën 2025 10:52
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka reaguar pas qarkullimit të lajmeve se SHBA-ja dhe Rusia kanë hartuar një plan për fundin e luftës në Ukrainë, i cili do të kërkonte kapitullimin e Kievit. 

Kallas ka deklaruar çdo plan paqeje për Ukrainën kërkon mbështetjen e Kievit dhe Evropës.

Drafti i planit, i cili thuhet se u zhvillua nga i dërguari i Donald Trumpit, Steve Ëitkoff, dhe këshilltari i Kremlinit Kirill Dmitriev, do të detyronte masa “drakoniane” mbi Ukrainën që do t'i jepnin Rusisë kontroll të paparë mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit. Plani ka të ngjarë të shihet si dorëzim nga Kievi zyrtar, raporton The Guardian.

Financial Times dhe Reuters raportuan se propozimi do t'i kërkonte Ukrainës të dorëzonte territorin që kontrollon në lindje të vendit dhe të përgjysmonte madhësinë e ushtrisë së saj, kushte që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në të kaluarën i ka quajtur të papranueshme. Kushte të tjera përfshijnë kufizimin e ndihmës ushtarake amerikane dhe kategoritë e armatimeve të përdorura nga ushtria ukrainase.