Serbët kanë shprehur të dielën mendimin e tyre nëpërmmet fletëvotimeve në referendumin me të cilin synohet të ndryshohen amendamentet kushtetuese për fuqizimin e drejtësisë, si pjesë e reformave të nevojshme që vendi të përshpejtojë integrimin në Bashkimin Evropian.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se drejtësia përnjëmend e pavarur do ta përmirësonte gjendjen e shoqërisë serbe dhe se do të krijonte kushte më të mira për investitorët e huaj.
“E kam kryer detyrën time si qytetar dhe besoj se njerëzit e shpresoj se njerëzit do të votojnë për përparimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin tonë, për drejtësisë dhe prokurori përnjëmend të pavarur, dhe besoj se ne do ta tregojmë më së miri edhe kur bëhet fjalë për tema si këto, edhe zhvillimi i vendit, përparimi në zhvillimin e infrastrukturës tonë janë tema me të cilat do të përmirësojmë shoqërinë tonë në çdo aspekt dhe njëherësh do të krijojmë klimë më të mirë për investitorët”, ka thënë Vuçiq.
Por kritikët e Vuçiqit dhe aktivistët e mjedisit thonë se presidenti serb po mundohet të shtrëngojë frerët e pushtetit nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, me qëllim që të lehtësojë investimet e huaja edhe në kurriz të qytetarëve dhe mjedisit të vendit.
Qindra qytetarë kanë protestuar edhe të shtunën në rrugët e Beogradit, duke kërkuar anulimin e planeve për minierat e litiumit në Sebri. Ata kanë bllokuar rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare me Bosnjë-Hercegovinën.
Edhe në vende tjera në Serbi janë bllokuar rrugët prej aktivistët.
Edhe në raportet ndërkombëtare, Serbia po kritikohet si një vend me ngritje të tendencave autokratike të Vuçiqit, partia e të cilit kontrollon institucionet kryesore të vendit.
Muaj më parë, Instituti Ndërkombëtare për Demokraci dhe Mbështetje Zgjedhore e futi edhe Serbinë në mesin e shteteve me rënien më të madhe të demokracisë
Numri shteteve me sistem demokratik po zvogëlohet dhe nga viti 2020, Serbia, Mali dhe Bregu i Fildishtë nuk janë më demokraci, bazuar në raportin e titulluar “Gjendja e demokracisë në botë më 2021”. Raporti kujton se Serbia për herë të parë pas 20 vjetësh nuk është më në kategorinë e demokracive.
"Serbia, e cila ka mbetur prapa që nga viti 2013, më në fund është bërë një regjim hibrid në vitin 2020. Gjatë asaj periudhe, Partia Progresive Serbe në pushtet kufizoi dhe diskreditoi shoqërinë civile dhe vendosi kufizime për lirinë e medias", thuhet në raport.