Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Reuters: Pentagoni shqyrton pezullimin e Spanjës nga NATO

trump

Foto: Associated Press

“Reuters” ka raportuar të premten për një email të brendshëm të Pentagonit i cili i paraqet Shteteve të Bashkuara opsione për t’i ndëshkuar aleatët e NATO-s që sipas tyre nuk kanë mbështetur operacionet amerikane në luftën me Iranin, përfshirë pezullimin e Spanjës nga aleanca dhe rishikimin e qëndrimit amerikan ndaj pretendimit të Britanisë për Ishujt Falkland. “Reuters” ka cituar një zyrtar amerikan.

Opsionet e politikave janë të detajuara në një shënim që shpreh zhgënjim ndaj hezitimit ose refuzimit të disa aleatëve për t’i dhënë SHBA-së qasje, baza ushtarake dhe të drejta fluturimi - të njohura si ABO - për luftën me Iranin, ka thënë zyrtari, i cili përshkroi përmbajtjen e emailit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Emaili thotë se ABO është “thjesht minimumi absolut për NATO-n”, sipas zyrtarit, i cili shtoi se këto opsione po qarkullonin në nivelet e larta të Pentagonit.

Një nga opsionet parashikon pezullimin e shteteve “problematike” nga pozicione të rëndësishme ose prestigjioze në NATO, sipas zyrtarit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër aleatët e NATO-s për mosdërgimin e flotave të tyre detare për të ndihmuar në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila u mbyll për transportin botëror pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt.

Ai ka deklaruar gjithashtu se po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga aleanca.

“A nuk do ta bënit edhe ju po të ishit në vendin tim?” pyeti Trumpi gjatë një interviste, në përgjigje të një pyetjeje nëse SHBA-ja mund të largohej nga NATO.

Por emaili nuk sugjeron që Shtetet e Bashkuara ta bëjnë këtë, ka thënë zyrtari. Ai gjithashtu nuk propozon mbylljen e bazave në Evropë.

Zyrtari refuzoi të thoshte nëse opsionet përfshijnë një reduktim të pritur të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

I pyetur mbi emailin, zëdhënësi për shtyp i Pentagonit, Kingsley Wilson, është përgjigjur: “Siç ka thënë presidenti Trump, pavarësisht gjithçkaje që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për aleatët e tyre në NATO, ata nuk ishin aty për ne”.

“Departamenti i Luftës do të sigurojë që presidenti të ketë opsione të besueshme për të garantuar se aleatët tanë të mos jenë më vetëm ‘tigër prej letre’, por të bëjnë pjesën e tyre. Nuk kemi komente të tjera për diskutimet e brendshme në këtë drejtim”, u përgjigj Wilson.

Lufta SHBA-Izrael me Iranin ka ngritur pyetje serioze mbi të ardhmen e aleancës 76-vjeçare dhe ka shkaktuar shqetësim të paprecedentë se SHBA-ja mund të mos u vijë në ndihmë aleatëve evropianë nëse ata sulmohen, thonë analistë dhe diplomatë.

Britania, Franca dhe vende të tjera thonë se bashkimi me SHBA-në në bllokadën detare amerikane do të nënkuptonte hyrje në luftë, por se do të ishin të gatshme të ndihmonin në mbajtjen e hapur të ngushticës sapo të arrihej një armëpushim i qëndrueshëm ose të përfundonte konflikti.

Por zyrtarët e administratës Trump kanë theksuar se NATO nuk mund të jetë një rrugë me një kah.

Ata kanë shprehur zhgënjim ndaj Spanjës, ku qeveria socialiste ka deklaruar se nuk do të lejonte përdorimin e bazave ose hapësirës ajrore për sulme ndaj Iranit. Shtetet e Bashkuara kanë dy baza të rëndësishme ushtarake në Spanjë: Stacionin Detar Rota dhe Bazën Ajrore Moron.

Opsionet e politikës të përshkruara në email synojnë të dërgojnë një sinjal të fortë ndaj aleatëve të NATO-s me qëllim “uljen e ndjenjës së të drejtave nga ana e evropianëve”, ka shtuar zyrtari duke përmbledhur përmbajtjen.

Opsioni për pezullimin e Spanjës nga aleanca do të kishte një efekt të kufizuar në operacionet ushtarake amerikane, por një ndikim të madh simbolik, thuhet në email.

Zyrtari nuk zbuloi se si SHBA-ja mund ta pezullonte Spanjën nga aleanca, dhe “Reuters” nuk ka arritur të gjejë nëse ekziston një mekanizëm i tillë në NATO.

Emaili përfshin gjithashtu një opsion për të rishqyrtuar mbështetjen diplomatike amerikane për “posedimet” evropiane afatgjata, si Ishujt Falkland pranë Argjentinës.

Faqja e Departamentit të Shtetit thekson se ishujt administrohen nga Mbretëria e Bashkuar, por ende pretendohen nga Argjentina, presidenti i së cilës, Javier Milei, është aleat i Trumpit.

Britania dhe Argjentina zhvilluan një luftë të shkurtër në vitin 1982 për ishujt pasi Argjentina bëri një përpjekje të dështuar për t’i marrë. Rreth 650 ushtarë argjentinas dhe 255 trupa britanike u vranë para se Argjentina të dorëzohej.

Trumpi ka fyer vazhdimisht kryeministrin britanik Keir Starmer, duke e quajtur të dobët për shkak të refuzimit për t’u bashkuar në luftën amerikane me Iranin, duke thënë se ai “nuk është Winston Churchill” dhe duke i përshkruar aeroplanmbajtëset britanike si “lodra”.

Britania fillimisht nuk pranoi një kërkesë nga SHBA-ja për të lejuar përdorimin e dy bazave britanike për sulme ndaj Iranit, por më vonë ra dakord të lejonte misione mbrojtëse për mbrojtjen e banorëve të rajonit, përfshirë shtetasit britanikë.

 

Sanchez s'do përplasje me SHBA-në, hedh poshtë raportimet për pezullimin e Spanjës nga NATO

1 o. më parë / 24 pri 2026 12:35
Pedro Sanchez

Photo: Associated Press

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të premten refuzoi të përfshihej në një përplasje me Shtetet e Bashkuara lidhur me raportimet se Pentagoni po shqyrton mundësinë e ndëshkimit të vendeve anëtare të NATO-s që nuk mbështesin operacionet amerikane në luftën me Iranin.

Ndër vendet që mund të preken është edhe Spanja, e cila ka refuzuar t’u lejojë forcave amerikane të përfshira në këtë luftë përdorimin e bazave në territorin e saj apo hapësirës ajrore. Spanja argumenton se veprimet e SHBA-së dhe Izraelit në luftën me Iranin bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Reutersit, Pentagoni po shqyrton edhe mundësinë e pezullimit të Spanjës nga NATO-ja, duke iu referuar një zyrtari të paidentifikuar amerikan dhe një emaili të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së.

“Ne nuk punojmë me emaile”, u tha Sanchez gazetarëve gjatë një samiti të Bashkimit Evropian në Qipro. “Ne punojmë me dokumente zyrtare dhe me qëndrime të marra, në këtë rast, nga qeveria e Shteteve të Bashkuara”, raporton AP.

“Qëndrimi i qeverisë së Spanjës është i qartë: bashkëpunim absolut me aleatët, por gjithmonë brenda kuadrit të ligjshmërisë ndërkombëtare”, shtoi ai.

NATO funksionon mbi bazën e konsensusit. Traktati themelues i aleancës transatlantike nuk parashikon mekanizma për pezullimin apo përjashtimin e ndonjërit prej 32 vendeve anëtare, megjithëse shtetet mund të largohen me vullnetin e tyre një vit pasi të kenë njoftuar aleatët e tjerë. Si aleancë, NATO-ja  nuk ka një rol të drejtpërdrejtë në luftën me Iranin, përveç mbrojtjes së territorit të saj.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur i zemëruar nga ajo që ai e konsideron si dështim të disa vendeve anëtare të NATO-s për të mbështetur veprimet amerikane në luftën me Iranin dhe për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e rëndësishme tregtare. Ai madje ka vënë në pikëpyetje qëllimin e anëtarësimit të SHBA-së në këtë organizatë ushtarake.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se është e habitur nga kritikat amerikane, duke pasur parasysh se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po udhëheqin përpjekjet për të garantuar sigurinë e tregtisë në këtë ngushticë pasi të përfundojë lufta.