Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të enjten se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë pjesë e bisedimeve për paqen me Rusinë, tek ka shtuar se është shpresëplotë se do të ketë përparim drejt përfundimit të luftës, ka raportuar The Guardian.
Rubio ka thënë se “për të arritur paqen, mendoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet të ketë diskutime për garancitë e sigurisë”.
“Duhet të ketë diskutime edhe për...çështjet dhe pretendimet territoriale, si dhe për atë që po luftojnë palët”, ka shtuar ai.
E rreth çështjes së armëpushimit, Rubio ka theksuar se “do të shohim se çfarë është e mundshme të nesërmen”.
Këto komente të kryediplomatit të SHBA-së janë bërë një ditë para samitit historik mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, që do të mbahet të premten në Alaskë.