Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rubio: SHBA-ja është e hapur për diplomaci por u përgjigjet sjelljeve të Iranit

Marco Rubio

Marco Rubio

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për negociata me Iranin, por se diplomacia duhet të jetë "reale".

"Duhet të jetë një marrëveshje që ata janë të gatshëm ta respektojnë. Shikoni, një javë më parë Irani duhej të kishte lëshuar një deklaratë ku thuhej se Ngushtica e Hormuzit do të ishte e hapur dhe se ata nuk do të sulmonin më anijet. Dhe në vend që ta bënin këtë, ata sulmuan tri anije”, ka thënë Rubio të dielën në mbrëmje, duke folur me gazetarët para se të nisej për takimin e ASEAN-it në Filipine.

Rubio ka thënë gjithashtu se Irani nuk po përmbush pjesën e tij të marrëveshjes së fundit me Shtetet e Bashkuara.

"Ata nuk po e respektojnë atë. Dua të them, ngushtica duhet të jetë e hapur, pa tarifa, pa sulme dhe pa të gjitha ato veprime që ata po kryejnë kundër këtyre anijeve. Pra, nuk mund të ketë një memorandum mirëkuptimi në fuqi nëse ata po shkelin kushtet e tij”, është shprehur Rubio.

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar rikthimin e bllokadës ndaj Iranit të hënën, ai ka thënë gjithashtu se do të vendoste një tarifë prej 20% për anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, ai ka hequr dorë nga plani për mbledhjen e tarifave pak orë para rifillimit të bllokadës, duke përmendur kërkesat e aleatëve në Gjirin Persik. Rubio, megjithatë, ka shpjeguar arsyetimin e presidentit Trump.

"Pra, ajo që presidenti po thekson në thelb është se, në një moment të caktuar, vendet dhe kombet që përfitojnë nga transporti detar përmes ngushticave duhet të jenë në gjendje të angazhohen dhe të ofrojnë të paktën ndihmë financiare për kostot e ofrimit të këtij shërbimi shumë të vlefshëm”.

Lexo përditësimet tjera
SHBA-ja kryen sulme për natën e tretë rresht, Irani përgjigjet

Sulme të reja mes SHBA-së dhe Iranit, tensionet afrohen drejt një lufte të hapur

Shtetet e Bashkuara kryen një valë të re sulmesh ajrore në orët e para të së...