Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka nisur një takim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Jerusalem të hënën, ndërsa pasojat e sulmit të Izraelit në Katar javën e kaluar pritet të jenë në krye të agjendës.
Sulmi, i cili shënjestroi udhëheqës të lartë të Hamasit në territorin e aleatit të ngushtë të SHBA-së, shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe u kritikua nga presidenti Donald Trump.
"Padyshim që nuk jemi të kënaqur me këtë. Presidenti nuk ishte i kënaqur me këtë. Tani duhet të ecim përpara dhe të kuptojmë se çfarë do të ndodhë më pas”, ka deklaruar Rubio të dielën.
Takimi vjen teksa udhëheqësit arabë mbajnë një samit në një shfaqje mbështetjeje për Katarin.
Kryeministri i tij i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë së aplikuari "standarde të dyfishta" dhe të ndëshkojë Izraelin.
Shteti i Gjirit ka një bazë ajrore të madhe amerikane dhe ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Gaza, duke shërbyer si ndërmjetës i negociatave indirekte midis Hamasit dhe Izraelit.
Të dielën, Netanyahu u ka thënë gazetarëve se marrëdhënia SHBA-Izrael ishte po aq "e qëndrueshme sa gurët në Murin Perëndimor", teksa ai dhe Rubio zhvilluan një vizitë të shkurtër në vendin e shenjtë në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit.
Mes Rubios dhe Netanyahut pritet të diskutohen edhe planet ushtarake izraelite për të pushtuar Qytetin e Gazës dhe zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Takimi vjen përpara një takimi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, në të cilin disa aleatë kryesorë të SHBA-së - përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Kanadanë, Australinë dhe Belgjikën, pritet të njohin Shtetin e Palestinës.