Rusia ka paralajmëruar se do të përgjigjet me hakmarrjen "më të ashpër" nëse Evropa përdor asetet shtetërore ruse të ngrira për të mbështetur Ukrainën - një kërcënim që ka nxitur përçarjet brenda BE-së.
Presidenti rus, Vladimir Putin i ka cilësuar planet evropiane si "pirateri" dhe "vjedhje prone", ndërsa zyrtarët rusë kanë diskutuar hapur sekuestrimin e aseteve perëndimore të mbetura në Rusi nëse blloku vendos për asetet ruse.
Moska zyrtare ka eksploruar masa ligjore dhe rregullatorë që do të lehtësonin shtetëzimet e mëtejshme, duke u bazuar në një fushatë që tashmë u ka zhveshur kompanive të huaja miliarda dollarë që nga pushtimi i Ukrainës.
The Guardian ka zbuluar të mërkurën se politikanët belgë dhe zyrtarët e lartë të financave janë shënjestruar gjithashtu nga një fushatë frikësimi e orkestruar nga inteligjenca ruse, që synon të ushtrojë presion mbi Brukselin për të bllokuar përdorimin e 185 miliardë eurove në asetet e ngrira për të mbështetur Ukrainën.
Kërcënimet e Rusisë kanë rënë në mënyrë të pabarabartë në të gjithë bllokun. Belgjika, Italia dhe Austria - vende me banka, kompani dhe infrastrukturë financiare ende thellësisht të ekspozuara ndaj Rusisë - kanë shprehur shqetësim në rritje se hakmarrja do t'i godiste ato të parat dhe më rëndë.
Kompanitë perëndimore ende kanë rreth 127 miliardë dollarë asete në Rusi, sipas Institutit të Shkollës së Ekonomisë në Kiev, ndërsa më shumë se 2,000 firma të huaja vazhdojnë të operojnë në vend.
Moska gjithashtu kontrollon shuma të mëdha të mbajtura në të ashtuquajturat llogari të tipit C, ku dividentët dhe të ardhurat nga investimet që u detyrohen investitorëve perëndimorë janë të ngrira.
Media ruse e biznesit RBK ka raportuar se Kremlini mund t'i ridrejtojë shpejt këto fonde në buxhetin e shtetit nëse Evropa vendos në favor të Ukrainës duke i shrytëzuar asetet ruse.