Rusia planifikon ta ndërtojë një central bërthamor në Hënë në dekadën e ardhshme për ta furnizuar me energji programin e saj hapësinor hënor dhe Stacionin e përbashkët kërkimor ruso-kinez, ndërsa fuqitë e mëdha po nxitojnë ta eksplorojnë satelitin e vetëm natyror të Tokës, raporton agjencia “Reuters”.
Që kur astronauti sovjetik Yuri Gargarin u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë më 1961, Rusia është krenuar si një fuqi kryesore në eksplorimin e hapësirës. Por, në dekadat e fundit ajo ka mbetur prapa SHBA-së dhe Kinës.
Ambiciet e Rusisë pësuan një goditje të madhe në gusht të vitit 2023, kur misioni i saj pa pilot “Luna-25” u përplas në sipërfaqen e Hënës, ndërsa përpiqej të ulej, dhe Elon Musk ka revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore – dikur një specialitet i Rusisë.
Agjencia Hapësinore Ruse, Roscosmos, në një deklaratë tha se planifikon ndërtimin e një centrali elektrik hënor deri në vitin 2036 dhe nënshkroi një kontratë me kompaninë hapësinore Asociacioni Lavochkin, për ta bërë këtë.
Roscosmos tha se qëllimi i centralit është që ta furnizojë me energji programin hapësinor hënor të Rusisë, duke përfshirë roverët, një observator dhe infrastrukturën e Stacionit të përbashkët ndërkombëtar të kërkimit hënor ruso-kinez.
“Projekti është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni shkencor hënor që funksionon përgjithmonë dhe kalimit nga misionet e njëhershme në një program afatgjatë të eksplorimit hënor”, tha Roscosmos.
Roscosmos nuk e tha qartazi se centrali do të ishte bërthamor, por tha se pjesëmarrësit përfshinin korporatën shtetërore bërthamore ruse Rosatom dhe Institutin Kurchatov, instituti kryesor i kërkimit bërthamor i Rusisë.
Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, tha në qershor se një nga qëllimet e korporatës ishte të vendoste një central bërthamor në Hënë dhe të eksploronte Venerën, i njohur si planeti “motër” i Tokës.
Hëna, e cila është 384 mijë e 400 kilometra larg Tokës, rregullon lëkundjet e Tokës në boshtin e saj, gjë që siguron një klimë më të qëndrueshme. Po ashtu shkakton batica në oqeanet e botës.