Duke folur në Institutin e Politikave “Chatham House”, pas takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer, Rutte tha, se pret nga aleatët e NATO-s të pajtohen të shpenzojnë 5 për qind të Brudo Produktit Vendor për mbrojtje.
Rusia mund të jetë gati ta sulmojë NATO-n brenda pesë vjetësh dhe udhëheqësit e aleancës veriatlantike pritet të pajtohen këtë muaj t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5 për qind të Bruto Produktit Vendor, për t’u përgatitur për këtë kërcënim, ka thënë sekretari i përgjithshëm i aleancës Mark Rutte, transmeton "The Guardian".
Rutte në një fjalim në Londër të hënën tha se NATO-s i duhej “një hap i madh në mbrojtjen kolektive”, që do të përfshinte riarmatosje të konsiderueshme për ta penguar Rusinë gjithnjë e më të militarizuara.
Kjo do të përfshinte rritje “400 për qind” të mbrojtjes ajrore, mijëra tanke tjera dhe miliona predha artilerie për t’i rritur rezervat dhe për të siguruar që shtetet e NATO-s të mbahen me nivelet ekzistuese të prodhimit rus.
Duke folur në Institutin e Politikave “Chatham House”, pas takimit me kryeministrin britanik, Keir Starmer, Rutte tha se pret nga aleatët e NATO-s të pajtohen të shpenzojnë 5 për qind të Bruto Produktit Vendor për mbrojtje.
Nga kjo, 3.5 për qind e Bruto Produktit Vendor do të jetë për shpenzime thelbësore ushtarake.
“Rreziku s’do të zhduket as kur të mbarojë lufta në Ukrainë”, ka thënë Rutte, duke reflektuar bindjen se Kremlini s’do të demilitarizohet edhe nëse bie dakord për një armëpushim dhe përfundimisht për paqe me Kievin.
Këto komente kanë nxitur një reagim të menjëhershëm nga Moska.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se NATO “po e dëshmon veten si një instrument agresioni dhe konfrontimi” me planin që e ka në zhvillim e sipër.
Planifikuesit ushtarakë perëndimorë besojnë se Rusia do të kërkojë ta mbajë një ushtri aktive dhe me përvojë me më shumë se 600 mijë ushtarë, si dhe do t’i mbajë shpenzimet për mbrojtje në rreth 6.5 për qind të Bruto Produktit Vendor. E do të jetë në gjendje ta kërcënojë krahun lindor të NATO-s në më pak se gjysmë dekade.
Gjatë vizitës në Mbretëri të Bashkuar, Rutte ka vizituar edhe “Sheffield Forgemasters”, një prodhues çeliku në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes britanike që prodhon komponentë kompleksë për nëndetëset bërthamore. Ai këtë vizitë e bëri para se të takohej me Starmerin e më pas të mbante fjalimin.
Rutte ka shtyrë përpara një propozim që anëtarët e NATO-s të bien dakord për t’i rritur shpenzimet bazë të mbrojtjes në 3.5 për qind të Bruto Produktit Vendor deri në vitin 2035, së bashku me një rritje të mëtejshme prej 1.5 për qind për infrastrukturën kibernetike dhe infrastrukturën tjetër ushtarake të lidhur me të.
Britania e Madhe pritet ta nënshkruajë planin, që do të konfirmohet zyrtarisht në Samitin e NATO-s më 24 dhe 25 qershor, si pjesë e një përpjekjeje për ta ruajtur mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump, që ka këmbëngulur për objektivin prej 5 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Rutte nuk do të caktojë një datë konkrete për arritjen e objektivit – duke dëshmuar se është ende një subjekt negociatash midis aleatëve – megjithëse propozoi vitin 2032.
Vende tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kanë treguar se presin të bien dakord për vitin 2035.
“Këto diskutime janë duke vazhduar”, tha Rutte.
Duke justifikuar nevojën për shpenzime shtesë, Rutte tha se NATO-s i duhet një “rritje prej 400 për qind në mbrojtje ajrore dhe raketore”, si pjesë e një riarmatimi më të gjerë.
“Ne e shohim në Ukrainë se si Rusia e shpërndan terrorin nga lartë, kështu që do ta forcojmë mburojën që mbron qiellin tonë”, tha Rutte.
Gjithashtu do të ketë një rimbushje të depove të armëve, që janë pakësuar fillimisht gjatë periudhës së gjatë të paqes pas Luftës së Ftohtë e më pas për shkak se janë dhuruar shumë armë për ta ndihmuar Ukrainën që të përballet me pushtimin rus të shkallës së plotë që nisi mbi tre vjet më parë.
“Ushtria jonë gjithashtu ka nevojë për mijëra automjete të blinduara dhe tanke të tjera, miliona predha artilerie të tjera, dhe ne duhet t’i dyfishojmë aftësitë tona të mundshme, të tilla si logjistike, furnizim, transport dhe mbështetje mjekësore”, tha Rutte.
Britania ka premtuar t’i rrisë shpenzimet për mbrojtje në deri 3 për qind të Bruto Produktit Vendor në vitin 2030.
Por, javën e kaluar kryeministri britanik Starmer pranoi se po zhvilloheshin diskutime rreth nevojave ushtarake të NATO-s.
Rusia tha se kërcënimi po ekzagjerohej dhe se qytetarët e zakonshëm do ta bartin koston.
“Tatimpaguesit evropianë do të shpenzojnë paratë e tyre për ta zbutur ndonjë kërcënim që ata thonë se vjen nga vendi ynë”, tha Peskov.