Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. ka njoftuar të martën se policia ka arritur të sekuestrojë sasinë më të madhe të drogës së llojit metamfetaminë në vend në vite.
Ai ka theksuar se gjatë këtij operacioni nuk është vrarë askush, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Policia ka sekuestruar afro 1.8 tonë metamfetaminë e cila ishte ngarkuar në një furgon, dhe ka arritur të arrestojë shoferin në një pikë kontrolli në qytetin Alitagtag në jug të Manilës.
I njohur në Filipine si “shabu”, droga e sekuestruar kap vlerën prej më shumë se 228 milionë dollarësh.
Presidenti Marcos është zotuar të punojë në sekuestrimin e drogës por ka thënë se do të fokusohet më shumë në rehabilitimin e të varurve nga droga.