Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Ushtria amerikane ka thënë se ka nisur sulme “vetëmbrojtëse” ndaj Iranit dhe ka rrëzuar raketa balistike dhe dronë të qëlluar drejt anijeve dhe vendeve të Gjirit.

Sulmet në Ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, ishin “në përgjigje të sulmeve të tentuara nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme”, ka thënë Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Irani ndërkaq ka thënë se kishte sulmuar bazat dhe helikopterët amerikanë në një "vend rajonal" duke përdorur raketa dhe dronë në hakmarrje. Centcom ka thënë se Teherani kishte lëshuar dy raketa drejt Kuvajtit dhe tri të tjera drejt Bahreinit, të cilat janë shkatërruar ose penguar.

Sulmet e fundit vijnë mes negociatave të ngecura për armëpushim, pasi bisedimet për një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës disamujore dështuan të përparonin gjatë fundjavës.

Centcom ka shtuar se sulmi në Ishullin Qeshm synonte një stacion kontrolli tokësor ushtarak iranian dhe se ushtria amerikane gjithashtu ka rrëzuar tre dronë sulmi që ishin lëshuar nga Irani drejt "marinarëve civilë që po kalonin me të drejtë ujërat rajonale".

IRGC-ja ka thënë se “dëmtimi i sigurisë së Ngushticës së Hormuzit do të ketë një çmim të lartë për ushtrinë agresive amerikane”. 

Irani ka sulmuar vazhdimisht objektiva në Bahrein dhe Kuvajt, ku ndodhen bazat ushtarake amerikane.

Trumpi thotë se Khamenei është i përfshirë në bisedime, shpreh dëshirën ta takojë

6 o. më parë / 3 qer 2026 14:22
Mojtaba Khamenei, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është i përfshirë në bisedime për t'i dhënë fund luftës.

Në një intervistë për New York Post, Trumpi ka thënë po ahtu se ai do të "dëshironte ta takonte" Khamenein.

Lideri suprem nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës në Iran dhe i është drejtuar kombit vetëm përmes deklaratave me shkrim të lexuara nga prezantuesit televizivë. 

Zyrtarët amerikanë kanë pohuar se Khamenei ishte i paaftë ose po trajtohej për lëndime të rënda të pësuara në të njëjtin bombardim që vrau babanë e tij, Ali Khamenei, në ditën e parë të luftës.

"Ai është i përfshirë. Absolutisht”, ka thënë Trumpi për New York Post. "Po, mendoj se ata kanë shumë respekt për të”, ka shtuar.

Kur është pyetur për gjendjen e Khameneit, Trumpi ka thënë se "Nuk e di, nuk kam pasur privilegjin ta takoj”.

Kur Trumpi është pyetur nëse do të takohej me Khamenein, ai është përgjigjur “Po, do të doja ta takoja. Do të doja t’i takoja të gjithë… Ndoshta do të takohemi në një moment, varësisht se si do të shkojë gjithçka”. 

Mbi 60 të lënduar në Kuvajt nga sulmet iraniane

6 o. më parë / 3 qer 2026 14:07
Kuvajt, Iran

Photo: Associated Press

Ministria e Shëndetësisë e Kuvajtit ka njoftuar se 63 persona janë plagosur pas sulmeve që goditën vendin të mërkurën, duke dëmtuar aeroportin ndërkombëtar.

Sulmi ka shkaktuar një nga numrat më të lartë të lëndimeve midis shteteve të Gjirit të goditura nga Irani, që nga fillimi i luftimeve.  

Një zëdhënës i ministrisë ka thënë se shtatë nga të lënduarit kishin nevojë për një ndërhyrje të rëndë kirurgjikale urgjente.

Ambasada indiane në Kuvajt ka thënë se një shtetas indian u vra në sulme. Në një deklaratë, ambasada ka thënë se ishte "në kontakt me familjen e të ndjerit" dhe ishte në koordinim me autoritetet kuvajtiane për të "ofruar të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e mundshme".

Sulmet shkaktuan dëme në Terminalin 1 të aeroportit, ka raportuar Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Kuvajtit (KUNA), duke cituar ministrinë e Mbrojtjes.

SHBA-ja dhe Irani po kryejnë sulme të herëpashershme ndaj njëra-tjetrës në ditët e fundit, pavarësisht përpjekjeve nga ndërmjetësit që palët t’i çojnë drejt fundit të luftës. 

Intensifikimi i sulmeve izraelite në Liban dhe së fundmi urdhri i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për të kryer sulme pranë kryeqytetit libanez, Bejrut, kanë nxitur Iranin që të deklarojë pezullimin e bisedimeve të hënën.

Mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar atë ditë se kishte biseduar me Netanyahun dhe se nuk do të kishte trupa izraelite në Bejrut.

Trumpi për Iranin: S’kemi nevojë tani për trupa në terren

6 o. më parë / 3 qer 2026 13:45
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja “nuk ka nevojë” që forcat e saj të veprojnë në terren brenda Iranit për shkak të suksesit të fushatave të tyre të bombardimeve disamujore në vend.

“Nuk kemi nevojë për trupa në terren tani”, ka thënë presidenti në një intervistë për New York Post që u botua të mërkurën. 

“Epo, ne e bëmë, e dini, ne zhdukëm shumë nga ushtria e tyre vetëm me bombardime. Ne nuk dërguam askënd në terren. Nuk dëshiron ta bësh këtë nëse mund ta shmangësh”, ka shtuar presidenti.

Ai ka thënë se ka arritur në një dilemë për t'i dhënë fund luftës: “A të nënshkruajmë një marrëveshje apo ta bëjmë ndryshe?”

“Dhe mënyra tjetër nuk është e mirë”, ka deklaruar ai.

Trumpi ka thënë se do të preferonte t’i jepte fund luftës “në mënyrën e mirë”.

Aeroporti i Kuvajtit dëmtohet nga sulmet iraniane, pezullohen fluturimet

11 o. më parë / 3 qer 2026 08:48
Ambasada Amerikane Kuvajt

Aeroporti ndërkombëtar i Kuvajtit është dëmtuar nga raketat dhe dronët iranianë herët të mërkurën, sipas autoriteteve.

Sulmi ka lënë të lënduar "një numër njerëzish", të cilët kanë marrë kujdes mjekësor, dhe ka shkaktuar dëme në Terminalin 1 të aeroportit, raporton Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Kuvajtit (KUNA), duke cituar ministrinë e Mbrojtjes.

Fluturimet dhe trafiku ajror në Kuvajt janë pezulluar pas sulmit, ka raportuar KUNA.

Terminali 1 - qendra kryesore e aeroportit për fluturime ndërkombëtare, ishte rihapur të hënën, sipas raporteve të mediave lokale, pasi ishte dëmtuar në një sulm të mëparshëm iranian në fund të shkurtit.