Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë pretenduar veçmas të hënën se kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit, pas një fundjave sulmesh që u përhapën në të gjithë Lindjen e Mesme, duke rrezikuar edhe më tej çdo përpjekje diplomatike për t'i dhënë fund luftës.
Sulmet u nxitën pasi Irani goditi të dielën një anije transporti kontejnerësh në ngushticën pranë brigjeve të Omanit, duke theksuar edhe një herë se kjo rrugë ujore, përmes së cilës dikur kalonte rreth një e pesta e naftës bruto dhe gazit natyror të tregtuar në botë, mbetet çështja kryesore në negociata.
Gryka e ngushtë e Gjirit Persik është përballur me ndërprerje të transportit detar që nga fillimi i luftës, pasi Irani ka mbajtur nën presion këtë korridor duke sulmuar anijet tregtare dhe duke frikësuar kompanitë e transportit.
Irani dhe SHBA-ja ndodhen pothuajse në gjysmën e periudhës 60-ditore të një marrëveshjeje të përkohshme, e cila ishte menduar të hapte rrugën për bisedime mbi një marrëveshje të përhershme për përfundimin e luftës. Në vend të kësaj, situata është shndërruar në një seri sulmesh lidhur me ngushticën dhe të ardhmen e saj, duke shtuar shqetësimet e liderëve botërorë se lufta me Iranin mund të rifillojë plotësisht.
"Një rikthim në luftime të shkallës së plotë do të kishte pasoja katastrofike”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një deklaratë.
Edhe
Kallas: S’mund të ketë taksa për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) ka bërë të ditur se forcat e saj kanë goditur dhjetëra objektiva gjatë sulmeve të së hënës, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë, pajisje raketash dhe dronësh, si edhe mjete të vogla detare.
"Ngushtica e Hormuzit është një korridor jetik detar për tregtinë globale. Irani nuk e kontrollon atë”, ka deklaruar CENTCOM.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), një nga qendrat kryesore të pushtetit në republikën islamike dhe forca që kontrollon arsenalin e raketave balistike të vendit, e ka hedhur poshtë deklaratën amerikane.
"Ngushtica e Hormuzit është territori ynë dhe ne nuk do të lejojmë që një ushtri e papërgjegjshme dhe vrasëse fëmijësh nga ana tjetër e botës të vazhdojë ndërhyrjen e saj të paligjshme në të”, ka deklaruar Garda.
Sirenat paralajmëruese për raketa u dëgjuan tri herë të hënën në Bahrejn, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës Amerikane, ndërsa Kuvajti ka njoftuar se kishte penguar sulme armiqësore. Nuk pasur informacion për dëme në asnjërin prej vendeve.
Në Jordani, ushtria ka njoftuar se ka rrëzuar katër raketa iraniane në një incident që, sipas saj, "nuk shkaktoi as viktima dhe as dëme materiale". Jordania gjithashtu strehon baza dhe mjete ajrore të ushtrisë amerikane.
Në Iran, autoritetet raportuan sulme në provincat Hormozgan, Khuzestan dhe Markazi, ku sipas agjencisë shtetërore IRNA, të paktën dy persona kanë humbur jetën. Mediat gjysmëzyrtare iraniane kanë raportuar gjithashtu për sulme në provincën Sistan dhe Baluchestan.
Edhe
Çmimet e naftës rriten me rreth 5% pas sulmeve të fundit të SHBA-së e Iranit
Sulmet iraniane të së dielës janë shtrirë në Bahrejn, Kuvajt, Katar, Jordani dhe madje edhe në Oman, ujërat territoriale të të cilit, së bashku me ato të Iranit, përbëjnë Ngushticën e Hormuzit. Omani, i cili prej kohësh ka shërbyer si ndërmjetës mes Teheranit dhe Perëndimit, ka thirrur një diplomat iranian për të protestuar ndaj sulmit.
Ndërkohë, të hënën, një bazë që i përket krahut të armatosur të Partisë së Lirisë së Kurdistanit, një grup opozitar kurd iranian me bazë në rajonin gjysmëautonom të Kurdistanit në Irak, u sulmua me dronë.
Luftimet përqendrohen te statusi i Ngushticës së Hormuzit
Ushtria amerikane ka njoftuar herët të dielën se kishte goditur rreth 140 objektiva, përfshirë vende lëshimi raketash dhe dronësh, depo municionesh, pajisje komunikimi dhe objektiva të tjera ushtarake.
Ky ishte një valë sulmesh shumë më i gjerë se dy rundet e mëparshme të zhvilluara gjatë javës së fundit.
"I bombarduam pa mëshirë mbrëmë”, ka thënë presidenti amerikan Donald Trump për NBC.
Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar vende të rajonit që strehojnë forca ushtarake amerikane, ndërsa ka këmbëngulur se vetëm ai duhet të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit dhe se mund të vendosë tarifa për anijet që kalojnë nëpër të.
"Epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka mbaruar”, ka shkruar kryetari i Parlamentit iranian dhe një nga negociatorët kryesorë të vendit, Mohammad Bagher Qalibaf.
Edhe
Irani intensifikon sulmet ndaj bazave amerikane në shtetet e Gjirit
"Ju thamë: mbajeni fjalën ose paguani çmimin. Realiteti po troket”, ka shtuar.
Irani ka deklaruar se ngushtica ishte mbyllur, ndërsa ushtria amerikane dhe presidenti Trump këmbëngulën se ajo mbetej e hapur.
Megjithatë, kontrolli i Iranit mbi ngushticën është dobësuar disi, pasi ushtria amerikane ka ofruar mbështetje për anijet që lëvizin përgjatë një rruge jugore pranë bregdetit të Omanit. Kjo rrugë e re ka zemëruar Iranin, i cili ka ndërmarrë sulme të përsëritura ndaj anijeve që e përdorin atë.