Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Basha: Gati 14 mijë euro u shqiptuan gjoba për tejkalim të peshës nga mjetet e rënda

Mjetet e renda

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka dhënë më shumë detaje rreth ndalimit të ngasësve të mjeteve të rënda.

Basha ka thënë se janë intensifikuar kontrollet ndaj mjeteve të rënda dhe sipas tij nuk do të lejohet që investimi dhe mirëmbajtja e rrugëve që bëhen nga taksat e qytetarëve, të dëmtohen nga operatorë e ngasës të papërgjegjshëm.

Gjatë sezonit veror, për shkak të temperaturave të larta, rreziku i dëmtimit të asfaltit rritet edhe më shumë. 

Vetëm më 1 korrik 2026, inspektimet kanë rezultuar me 24 kundërvajtje ndaj mjeteve që kanë tejkaluar kufijtë e lejuar të peshës. Vlera e përgjithshme e gjobave të shqiptuara ka arritur në 13,910 euro, nga të cilat 13,140 euro janë vendosur ndaj operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro ndaj personave fizikë.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të jetë rigoroze në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtjen e infrastrukturës rrugore. Kontrollet do të vazhdojnë dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që, përmes mbingarkesës, rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe dëmtojnë rrugët tona. U bëjmë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që t’i respektojnë kufijtë e lejuar të peshës dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës që ndërtohet me paratë e qytetarëve”, thuhet mes tjerash në postimin e Bashës.