Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja e Irani “në garë” për pilotin e zhdukur

Avioni

Kërkimet për pilotin amerikan të zhdukur pas rrëzimit të një avioni luftarak në jugperëndim të Iranit, kanë vazhduar edhe të shtunën. SHBA-ja ka arritur ta shpëtojë oficerin e sistemit të armëve që ndodhej në avion, e Garda Revolucionare Iraniane ka ofruar shpërblim për këdo që arrin ta kapë pilotin.

(AP/Reuters) - Shtetet e Bashkuara dhe Irani, që ndodhen në luftë prej më shumë se një muaj, kanë zhvilluar operacione paralele për gjetjen e një anëtari të ekuipazhit të avionit amerikan F-15E që u rrëzua të premten në jugperëndim të Iranit.

Në avion ndodheshin piloti dhe një oficer i sistemit të armëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

SHBA-ja ka arritur ta shpëtojë oficerin e sistemit të armëve, ndërsa ka vazhduar kërkimin për pilotin dhe është përqendruar në rajonin malor të provincës Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad.

E, zyrtarët iranianë u kanë bërë thirrje qytetarëve që nëse e gjejnë të gjallë pilotin do të ofrojnë shpërblim për dorëzimin e tij.

Ndërkaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë për “NBC News” se rrëzimi i avionit nuk do të ndikojë në asnjë negociatë me Iranin dhe ka refuzuar të fliste për detaje të operacionit të kërkim‑shpëtimit, duke e përshkruar atë si çështje të ndjeshme ushtarake.

Raportohet se edhe një avion tjetër amerikan, A-10 Thunderbolt II (Warthog), u godit nga forcat iraniane, të cilat pretendojnë se atë e rrëzuan në Gjirin Persik.

E zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se piloti, i cili ishte i vetëm, ka shpëtuar.

Rrëzimi i avionëve ndodhi vetëm dy ditë pas deklaratës së presidentit Trump se SHBA-ja ka shkatërruar plotësisht Iranin dhe se do ta përfundojë operacionin ushtarak shumë shpejt.

Po të shtunën presidenti Trump ka kërcënuar Iranin se i ka 48 orë afat për ta hapur Ngushticën e Hormuzit.

“Kujtojeni kur ia dhashë Iranit dhjetë ditë për të bërë marrëveshje ose për ta hapur Ngushticën e Hormuzit. Koha po mbaron. 48 orë para se ferri të bjerë mbi ta. Lavdi Zotit!”, ka shkruar presidenti amerikan në Truth Social.

E pak para kërcënimit të Trumpit, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka theksuar gatishmërinë e shtetit që përfaqëson për bisedime që synojnë ta ndalin luftën.

“Jemi thellësisht mirënjohës ndaj Pakistanit për përpjekjet e tij dhe kurrë nuk kemi refuzuar të shkojmë në Islamabad. Ajo që na intereson janë kushtet për një mbarim përfundimtar dhe të qëndrueshëm të luftës së paligjshme që na është imponuar”, ka shkruar Araghchi në X.

Paralelisht me deklarimet dhe operacionet për gjetjen e pilotit amerikan, sulmet e ndërsjella kanë vazhduar në Lindjen e Mesme edhe të shtunën.

Raketa dhe dronë iranianë kanë goditur selinë e gjigantit amerikan të teknologjisë “Oracle” në Dubai. Është raportuar edhe se Irani ka sulmuar edhe një anije në Ngushticën e Hormuzit për të cilën pretendon se ka lidhje me Izraelin. Për raketa iraniane në drejtim të Izraelit ka raportuar edhe ushtria e këtij vendi.

Ndërkaq, Organizata Atomike e Iranit ka raportuar në rrjetet sociale se një sulm ajror amerikano-izraelit ka goditur afër objektit bërthamor të Bushehrit në Iran, duke vrarë një roje sigurie dhe dëmtuar një ndërtesë aty pranë. Kjo është hera e katërt që objekti është goditur gjatë luftës.

Konflikti, i nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt, ka pasur ndikim të madh global.

Ai ka shkaktuar mijëra viktima në rajon, ka tronditur tregjet globale, si dhe ka bllokuar rrugën kryesore të transportit detar të naftës duke ndikuar në rritjen e çmimeve.