Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se ushtria e tyre ka kryer një "sulm masiv" kundër grupit të Shtetit Islamik (ISIS) në Siri, në përgjigje të një sulmi vdekjeprurës ndaj forcave amerikane në vend.
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka thënë se avionët luftarakë, helikopterët sulmues dhe artileria "goditën më shumë se 70 objektiva në vende të shumta në të gjithë Sirinë qendrore". Avionë nga Jordania ishin gjithashtu të përfshirë.
Komanda shtoi se operacioni synoi infrastrukturën e njohur të ISIS-it dhe vendet e armëve.
Presidenti Donald Trump ka thënë se "po godasim shumë fuqishëm" kundër fortesave të ISIS-it, pas pritës së 13 dhjetorit në qytetin Palmyra në të cilën u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil amerikan.
Komandanti i Centcomit, Brad Cooper, ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të godasë terroristët që tentojnë t’i dëmtojnë amerikanët dhe partnerët e SHBA-së.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u shpreh se operacioni "nuk është fillimi i një lufte - është një deklaratë hakmarrjeje”.
"Nëse shënjestroni amerikanët - kudo në botë - do ta kaloni pjesën tjetër të jetës suaj të shkurtër dhe të shqetësuar duke e ditur se Shtetet e Bashkuara do t'ju ndjekin, do t'ju gjejnë dhe do t'ju vrasin pa mëshirë”, deklaroi ai.
Tonight, U.S. and Jordanian forces struck 70+ ISIS targets in Syria with 100+ precision munitions. Peace through strength. pic.twitter.com/XWWvfqBBFT
— U.S. Central Command (@CENTCOM) December 20, 2025