Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja kryen sulme për natën e tretë rresht, Irani përgjigjet

SHBA-ja kryen sulme për natën e tretë rresht, Irani përgjigjet

Çka po ndodh në Ngushticën e Hormuzit?

2 o. më parë / 14 kor 2026 09:50
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Ngushtica e Hormuzit edhe njëherë ka marrë vëmendjen e botës, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do të rikthejnë bllokadën për anijet që shkojnë drejt apo dalin nga portet e Iranit. Vendimin SHBA-ja e arsyetoi me sulmet iraniane ndaj anijeve javëve të fundit.

Bllokada: Ushtria e SHBA-së do të nisë bllokadën nga e marta (në mesnatë sipas kohës lokale në Kosovë). Bllokada fillestare pati zgjatur nga 13 prilli deri më 18 qershor, para se Washingtoni e Teherani të nënshkruanin marrëveshjen e mirëkuptimit për të punuar drejt përfundimit të luftës.

Tarifa: Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se SHBA-ja mund të vendosë tarifë prej 20 për qind për mbrojtjen e anijeve që të kalojnë rrugën sigurt në Ngushticë. Ai nuk ka ofruar detaje se si do të funksiononte kjo apo se kur do të hynte në fuqi. Ngushtica është rrugë ujore ndërkombëtare ku anijet kanë të drejtën e kalimit të lirë dhe tarifa mund të mos vlejë apo mund të mos ketë shtet që është i gatshëm ta paguajë, sipas ekspertëve që kanë folur për CNN-in.

Komentet e Rubios: Administrata Trump më herët pati thënë se anijeve duhet mundësuar kalimi tranzit pa shpenzuar asnjë tarifë. Vetëm muajin e shkuar, sekretari Marco Rubio, ka përsëritur idenë e vendosjes së tarifave duke e quajtur “të pazbatueshme” dhe “të pamundur për t’u zbatuar”.

Përgjigja e Iranit: Diplomati kryesor i Iranit ka përqeshur propozimin e Trumpit duke insistuar se Irani duhet të jetë pala që mbledh tarifën. “20 për qind sigurisht se është shumë. Ne do të jemi më të drejtë”, ka shkruar ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi në X.

Reagime botërore: Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka thënë se kalimi në ngushticë duhet të “mbetet falas nga tarifat, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Reagimi i tregjeve: Çmimi i naftës u rrit ndjeshëm pas njoftimit të Trumpit. Nafta “brent” u shtrenjtua për 7.1 për qind, ndërsa ajo amerikane për 7.2 për qind. Të dyja prekën nivelin më të lartë që nga 15 qershori.

SHBA-ja kryen sulme për natën e tretë rresht, Irani përgjigjet

4 o. më parë / 14 kor 2026 08:09
SHBA

Photo: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme ndaj Iranit për natën e tretë rresht. Dy tankerë u hodhën në erë në Ngushticën e Hormuzit, pasi presidenti Donald Trump u zotua se Washingtoni do ta kthejë bllokadën ndaj anijeve iraniane në Gji dhe do të vendosë tarifë për anijet që duan të kalojnë.

Komanda Qendrore Amerikane ka njoftuar se me urdhër të presidentit ka kryer sulmet. 

Menjëherë pas kësaj, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar se raketat iraniane kanë goditur dy tankerë nafte teksa po kalonin në ujërat e Omanit. Si pasojë e tyre një pjesëtar i stafit ka vdekur e tetë janë lënduar.

Një ditë më parë, presidenti Trump u zotua se do ta hapë ngushticën “me ose pa Iranin”. Ai po ashtu njoftoi se SHBA-ja do të nisë të vendosë tarifë 20 për qind për mallrat që kalojnë tranzit, në mënyrë që të ofrojë sigurinë për anijet.

Komandat ushtarake iraniane ka thënë se SHBA-ja nuk ka rol në Ngushticë e se s’do t’ia lejojë intervenimin. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqhchi, ka shkruar në X se Irani do të jetë “përgjithmonë” gardian i ngushticës teksa për komente e Trumpit ka thënë se “20 për qind sigurisht është shumë, ne do të jemi më të drejtë”.