Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka thënë se skuadra është “plotësisht e bashkuar” para gjysmëfinales së Kupës së Botës kundër Argjentinës. Ylli tjetër anglez, Jude Bellingham vuri në dyshim vlerësimin e selektorit Thomas Tuchel për performancën e ekipit kundër Norvegjisë.
Anglia siguroi vend në gjysmëfinale me fitore të vështirë, 2:1, ndaj Norvegjisë. Dhe tani anglezët përballen me Argjentinën në Atlanta, të mërkurën nga ora 21:00. Kampionia në fuqi e botës, Argjentina, fitoi pas vazhdimeve, njëjtë si Anglia, me rezultatin 3:1 ndaj Zvicrës.
Tuchel kishte përmendur fatin pas ndeshjes me Norvegjinë dhe tha se nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen. Bellingham nuk u pajtua me këtë deklaratë dhe kishte më pas shumë shkrime lidhur me atmosferën tek Anglia.
Por Kane ka thënë për BBC se kampi i Anglisë është larg të qenit i ndarë.
“Kur luan një ndeshje të tillë dhe bëhet një pyetje pesë minuta pas fishkëllimës së fundit, dhe ai nuk e dinte vërtet se çka ishte thënë, çka do të thoshte Jude Bellingham?”, ka pyetur Kane.
“Ne sapo kishim kaluar një betejë. Është e lehtë të përpiqesh të krijosh këtë ndarje. Duket si gjë tipike angleze për t’u bërë në këto ngjarje të mëdha. Por është krejtësisht e kundërta. Jemi në këtë pikë për shkak të bashkimit tonë të plotë. Jo vetëm lojtarët, por edhe trajnerët dhe stafi. Gjërat ndonjëherë paraqiten më të mëdha se që janë”, ka shtuar kapiteni anglez.
Mënyra se si Tuchel e drejton Anglinë dallon nga ajo e selektorit të kaluar, Gareth Southgate. Por sulmuesi Kane thotë se kjo nuk është gjë e keqe.
Edhe
Çfarë po fsheh Bellinghami para duelit ndaj Argjentinës?
“Selektori flet hapur për çdo gjë dhe njerëzit e vlerësojnë këtë. Fjalimet e tij janë spontane. Kjo e bënë atë që është. Vjen natyrshëm të besosh në këtë, të besosh në atë që thotë, në qasjen e tij. Nuk është rastësisht njëri prej trajnerëve më të mirë në botë. Ne e kuptojmë këtë. Gjatë dy vjetëve të fundit ne e kemi njohur atë dhe e dimë se çka e bën të lumtur”.
Superylli i Argjentinës, Lionel Messi, do të përballet për herë të parë me Anglinë. Dhe në moshën 39-vjeçare mund të jetë edhe përballja e fundit.
Tek Anglia kanë shkëlqyer Kane e Bellingham, por shumë besojnë se më e mira e kësaj përfaqësuese nuk është parë ende.