Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vizionarja e artit që la gjurmën e saj me gjak, pendë e barut

Ana Mendieta

Duke lënë gjurmën e saj… Ana Mendieta, “Pa titull”, nga seria “Silueta”, 1976

Ekspozita që hapet së shpejti në muzeun “Tate Modern” të Londrës, nuk ndalet te vdekja kontroverse e artistes kubano-amerikane, Ana Mendieta. Përkundrazi, përqendrohet te mënyra mahnitëse me të cilën ajo la gjurmën e vet mbi tokë duke përdorur gjak, pendë dhe barut. Për të, shtëpia ishte e kaluara dhe ajo do të gërmonte vetë deri te zanafilla e artit dhe e mitologjisë

(The Guardian) –  Një fotografi e madhe me ngjyra e një lokaliteti të lashtë të rrënuar të pret jashtë ekspozitës magjepsëse të Ana Mendietës dhe të bën menjëherë të kuptosh se kjo do të jetë një përvojë ndryshe.  Është lloji i imazhit që duket se i përket më shumë një ekspozite të Muzeut Britanik për një qytetërim të humbur parakolumbian sesa krahut Blavatnik të muzeut “Tate Modern”, me arkitekturën e tij prej betoni. Megjithatë, në imagjinatën e saj, pikërisht aty e kishte vendin edhe Mendieta. 

E lindur në Havana të Kubës më 1948, ajo u dërgua në Shtetet e Bashkuara në moshën dymbëdhjetëvjeçare për t’i shpëtuar revolucionit. Mes amerikanëve të bardhë, ndihej e huaj. Për të, shtëpia ishte e kaluara dhe ajo do të gërmonte vetë deri te zanafilla e artit dhe e mitologjisë.

Mendieta krijonte art me gjak, pendë, lule dhe rërë, dhe këtë e bënte në mënyra aq të freskëta, sa do të mendoje se këto materiale të hershme ishin shpikje të reja. Ajo luante fjalë për fjalë me zjarrin, duke vizatuar një figurë njerëzore me barut mbi tokë ose në trungun e një peme, e më pas duke i vënë flakën. Flakët lënë pas një hije të djegur të njeriut, që të kujton viktimat e një bombe bërthamore ose të vdekurit e Pompeit të varrosur nën hi. Përballë një vargu të këtyre fantazmave të djegura që dalin nga trungje të vërtetë pemësh, pothuajse pret që ato të të flasin si hijet e të vdekurve.

Më shpesh sesa jo, figura njerëzore që shkrihet me natyrën është vetë Mendieta. Në një fotografi ajo qëndron e mbuluar me baltë ngjyrë kafe përballë një peme, aq sa trupi i saj duket sikur zhytet në lëvoren e pemës derisa pothuajse zhduket. Në një tjetër, një figurë femërore që është njëkohësisht artistja dhe një qenie universale, totemike, e krijuar prej balte, shpërbëhet ngadalë në një pellg uji.

Duke luajtur me zjarrin… Ana Mendieta, “Pa titull”, 1977 

Megjithatë, Mendieta nuk ishte pa humor. Ajo derdhi gjak kafshësh mbi një trotuar, në mënyrë që të dukej si një njollë gjaku njerëzor, dhe fotografoi fshehurazi kalimtarët teksa përpiqeshin të kuptonin këtë gjurmë shqetësuese të një dhune të tmerrshme. Në një vepër tjetër të hershme, ajo provon mustaqe të dendura e të stolisura, duke trajtuar me humor pasigurinë e saj për identitetin dhe prejardhjen.

Edhe Trashëgimia e Frida Kahlos që vazhdon të frymëzojë Shtojca për Kulturë 1 j. më parë Trashëgimia e Frida Kahlos që vazhdon të frymëzojë

Ajo u kthye në Kubë për herë të parë në vitin 1980. Më pas, në vitin 1981, vetëm dy vjet pasi i ati ishte liruar nga një burg politik atje, gdhendi skulptura mahnitëse në gur gëlqeror në qoshet e qeta të një rezervati natyror. Fotografitë e saj bardhezi i bëjnë këto skulptura “Rupestre”, siç i quajti ajo – term që do të thotë thjesht “të krijuara në shkëmb”, një shaka tautologjike – të duken si gjurmë enigmatike të një qytetërimi të humbur: ndoshta të një populli të lashtë rupestrian. Hyjnesha të pjellorisë me forma të lakuara, që të kujtojnë Venusin e Willendorfit, si edhe forma të tjera femërore abstrakte, herë si lakuriqë nate e herë si qenie jashtëtokësore, me vagina që ngjasojnë me porta të shenjta, ngrihen nga formacionet shkëmbore si kryevepra të gërryera nga koha, por ende të qëndrueshme të kulturës njerëzore. Mendieta i krijoi ato me shpresën se shëtitësit do t’i zbulonin rastësisht dhe do të ndaleshin t’i analizonin.

Ajo nuk ishte e vetmja artiste moderne që ëndërroi, madje edhe fabrikoi, një të kaluar të lashtë e parahistorike për kontinentin amerikan. Vepra “Spiral Jetty” e Robert Smithsonit e realizuar më 1970, synon të jetë përgjigjja amerikane ndaj Stonehengeit, duke u zhytur e duke u rishfaqur në Liqenin e Madh të Kripur. Edhe “Roden Crater” i James Turrellit dhe “Lightning Field” i Walter De Marias ushqejnë aspirata të ngjashme të hershme.

Por Mendieta është ndryshe. Ajo shmangu monumentet gjigante dhe zgjodhi gjeste më idiosinkratike, si për shembull një siluetë njerëzore të krijuar me lule. Në vend të gjuhës abstrakte të artit modern amerikan, ajo paraqet figura të mirëfillta hyjnore, një mitologji personale po aq çuditërisht koherente sa ajo e William Blakeut. Mes fotografive, filmave dhe objekteve janë shpërndarë edhe vizatime, përfshirë skica të bukura mbi gjethe, ku Mendieta zhvillon këtë imazh surrealist. Ajo e sjell imagjinatën e saj grafike drejtpërdrejt në natyrë, duke lënë gjurmën e vet në një shkretëtirë me baltë, ose duke krijuar një figurë prej lulesh të bardha në një drejtkëndësh me bar që ngjan me arkivol, apo një tjetër gjurmë të thellë të trupit të saj në baltë, të mbushur me pigment të kuq si gjaku.

Portrete tale të shenjta… Ana Mendieta, “Pa titull” (Guanaroca, (Gruaja e parë)), 1981, 1994

Kjo artiste është e parezistueshme. Ajo nuk krijon vetëm ndërhyrje befasuese, por paraqet edhe një teori të mirëfilltë mbi kozmosin. Synimi i saj është të rilidhë artin dhe natyrën përmes një mitologjie feministe të hyjneshave të lashta, gjysmë të harruara, të cilat ajo i nxjerr fjalë për fjalë nga dheu ose i zbulon të fshehura në trungjet e pemëve përmes sakrificës së zjarrit. Ky është një art i rrënjosur në materien organike, në gjethe dhe hi, me një aftësi të pakufizuar për të krijuar imazhe të paharrueshme. Është gjithashtu një art për kohën tonë. 

Mendieta vdiq në vitin 1985, në moshën 36-vjeçare, në rrethana shumë të diskutueshme. Kjo ekspozitë nuk ndalet tek ajo ngjarje, por duhet thënë se arti i saj ka pafundësisht më shumë jetë sesa tullat që bashkëshorti i saj, Carl Andre, ia shiti muzeut “Tate Modern” vite përpara se të akuzohej, e më pas të shpallej i pafajshëm, për vrasjen e saj.

Një Ana Mendieta që nuk do të kishte rënë kurrë nga apartamenti i saj do të ishte pa dyshim në ballë të artit të këtij shekulli. Por, nga ana tjetër, ajo do të ishte ndier po aq mirë edhe në epokën e gurit. Sot disa arkeologë pretendojnë se gjurmët e duarve të gjetura në shpellat paleolitike janë të grave. Shumë vite përpara se kjo tezë të merrte formë, Mendieta kishte krijuar një kallëp të dorës së saj dhe e kishte shndërruar në një hekur për damkosje, me të cilin dogji gjurmën e dorës së saj në tokë – dhe në histori.

Edhe Ekspozita me veprat e Frida Kahlos me rekord biletash para hapjes Kulturë 3 j. më parë Ekspozita me veprat e Frida Kahlos me rekord biletash para hapjes

Ekspozita “Ana Mendieta” qëndron e hapur në “Tate Modern” në Londër, prej 15 korrikut deri më 17 janar.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku