Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë, Varshava e ka mbështetur fort Kievin.
Është renditur e para në dërgimin e pakove ndihmëse dhe pajisjeve ushtarake, duke argumentuar me pasion se kjo mbështetje luan rol kyç për ta mbrojtur edhe vetë Poloninë nga agresioni rus. Ndryshimi i tonit nga qeveria polake ndaj Ukrainës është për t’u habitur, raporton BBC. Papritmas, duket sikur krejt thikat politike janë drejtuar nga Kievi.
Thuhet se Ukraina duhet të jetë mirënjohëse për mbështetjen polake. Një paralajmërim nga kryeministri i Polonisë për përfundimin e furnizimit me armatim erdhi këtë javë, megjithëse të tjerët u munduan ta “zbusnin” atë mesazh. Mirëpo, nuk kishte asnjë keqinterpretim në atë që e tha presidenti polak, Andrzej Duda, i cili e krahasoi Ukrainën me një burrë që po mbytej, që rrezikonte t’i tërhiqte drejt fundosjes edhe shpëtuesit e tij. Ky koment u prit me gëzim nga Moska.
Ftohja e shpejtë e marrëdhënieve midis vendeve fqinje nisi me mosmarrëveshje për importet e drithërave që mbetet ende çështje e pazgjidhur.
Ukraina duhet t’i eksportojë të korrat e saj e rrugët kryesore tokësore tani janë kritike, ngaqë Rusia po sulmon qëllimshëm portet si në Detin e Zi ashtu edhe në lumin Danub. Mirëpo, në përpjekje për t’i mbrojtur fermerët e vet, Polonia nuk do të lejojë që gruri ukrainas ta furnizojë tregun vendas, vetëm për kalime transit për në Bashkimin Evropian.
Për partinë qeverisëse të Polonisë Ligj dhe Drejtësi, ekuacioni është i thjeshtë – fermerët këtu nuk duan garë me grupin ukrainas dhe PiS, ndërkaq, do votën e këtyre fermerëve për zgjedhjet e ardhshme.
Kievi është i pakënaqur, teksa Polonia është shumë e zënë me debatet parazgjedhore teksa toni është shumë i ashpër. Partia Ligj dhe Drejtësi ka prirë në sondazhet e fundit, mirëpo distanca është shumë e ngushtë dhe analistët nuk kanë guxuar të parashikojnë fituesin e zgjedhjeve.
Në betejën për vota, PiS është pozicionuar si mbrojtësi më i fortë të interesave polake. Kështu që ripërcaktimi se si po ndihmon Ukrainën, është një nga kartat që partia po luan bashkë kauzat e tjera populiste sikurse migracioni.
Piotr Lukasiewicz, nga grupi i analizës Polityka Insight, ka shpjeguar se situata nuk ka të bëjë me grurin e as me armët. Ka të bëjë me mendimet mes elektoratit konservator, që është çështja me e madhe për PiS-in, dhe ajo duhet të vazhdojë me këto mendime.
“Është ndërtuar rreth nocionit se Ukraina nuk është mjaft mirënjohëse për mbështetjen polake dhe se ukrainasit këtu po marrin shumë për sa u përket shërbimeve sociale dhe financave”, ka thënë ai.
PiS po përpiqet të tërheqë votuesit nga partia e ekstremit të djathtë Konfederacja, e cila aktualisht po anketohet me rreth 10% mbështetje.
Këtë javë, anëtarët e Konfederacjas piketuan ambasadën ukrainase në Varshavë dhe mbajtën mock invoice për mbështetjen e Polonisë. Konfederacja shpalli koston totale të ndihmës së Kievit të jetë mbi 100 miliardë zloty (23.1 miliardë dollarë) dhe shkroi: “Pagua: zero. Mirënjohje: s’ka”.
Politikanët e opozitës e kanë kritikuar sjelljen e qeverisë si nacionalizëm të rrezikshëm.
Mirëpo ndryshimi i tonit të Polonisë nuk po ndodh në mënyrë të izoluar.
Shenjat e “lodhjes së Ukrainës” varen mbi fushatat zgjedhore nga Sllovakia në Shtetet e Bashkuara, shqetësim serioz për Kievin, i cili ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe të fortë perëndimore teksa i lufton forcat ruse.
Qeveria polake po thekson se ndihma ndërkombëtare do të vazhdojë të shkojë në vijat e frontit të Ukrainës nëpërmjet Rzeszowit në lindje, qendër kritike për gjithçka, nga tanket deri te plumbat. Ndërkohë, bisedimet midis Ukrainës dhe Polonisë për mosmarrëveshjen e grurit po vazhdojnë.
“Fjalët kanë peshë”
Duket se ka përpjekje nga të dyja palët për të parandaluar që lufta e fjalëve të përshkallëzohet në krizë të plotë.
Dhe teksa PiS ndjek votën rurale, konservatore, mbështetja për Ukrainën në Varshavë mbetet e fortë.
“Padyshim që nuk është mirë që po e kufizojmë ndihmën. Gjëja që po bën Rusia është e papranueshme. Ne duhet të mbrohemi dhe të ndihmojmë Ukrainën të mbrojë lirinë e saj”, më tha Viktoria, në një qytet që ende ka shumë flamuj ukrainas të mbështjellë jashtë dritareve ë apartamenteve , që tregojnë solidaritet - dhe shumë refugjatë ukrainas.
“Mendoj se ky është një mjet që qeveria përdor për t’i fituar zgjedhjet. Ata luajnë me të gjitha emocionet dhe ky është një fjalim i ndyrë përpara zgjedhjeve”, ka theksuar Rafa.
“Shpresoj se është thjesht fjalim. Varet se kush i fiton zgjedhjet. Brenda një muaji, kjo do të bëhet e qartë gjithçka”.
Por disa mendojnë se dëmi për Poloninë është bërë tashmë.
“Fjalët kanë peshë”, ka thënë analisti Piotr Lukasiewicz. “Mendoj se do të ketë pasoja dhe ato do të jenë të rënda për Poloninë”.
Përktheu: Blerta Haxhiu