Botë

Mbi 30 të vdekur nga shpërthimi i fabrikës në Indi

Indi

Të paktën 34 persona kanë vdekur si pasojë e një shpërthimi në një fabrikë farmaceutike në shtetin jugor indian të Telanganës, ka raportuar BBC.

Shpërthimi ndodhi të hënën në njërën prej njësive të kompanisë “Sigachi Industries”, duke lënë disa të persona në gjendje kritike.

“Janë nxjerrë nga rrënojat 31 trupa, ndërsa tre të tjerë kanë vdekur në spital gjatë trajtimit”, ka thënë zyrtari i lartë i policisë së rajonit, Paritosh Pankaj, për mediumin “Press Trust of India”.

Policia ka regjistruar një çështje kundër menaxhmentit të Sigachi Industries, bazuar në ankesën e djalit të njërit prej viktimave.

Kompania ka njoftuar se ka ndaluar operacionet në fabrikë për 90 ditë, për shkak të dëmtimeve në pajisjet dhe strukturat brenda impiantit.

“Ngjarja fatkeqësisht ka shkaktuar humbje jete dhe mund të ketë individë që kanë pësuar plagë”, ka njoftuar kompania, duke shtuar se po vazhdon ende të vlerësojë numrin e saktë të të plagosurve.

Autoritetet indiane kanë bërë të ditur se rreth 60 persona ndodheshin brenda ndërtesës në momentin e shpërthimit, i cili solli rrënimin e plotë të saj.

Shumë nga punëtorët ishin migrantë nga shtete si Jharkhand, Odisha, Bihar, Uttar Pradesh dhe West Bengal, në pjesët veriore dhe lindore të vendit.

Të paktën 25 viktima u dërguan në spitalet e afërta me djegie dhe lëndime të ndryshme, kishin thënë zyrtarët shtetërorë. Shumë prej tyre dyshohet se kanë thithur tym helmuese.

Punonjësit e shpëtimit janë ende duke pastruar rrënojat nga vendi i shpërthimit, teksa kanë thënë për agjencinë e lajmeve “ANI” se nuk janë ende të sigurt sa persona kanë mbetur të bllokuar.

“Sapo të përfundojmë pastrimin, atëherë do të jemi në gjendje të vlerësojmë nëse ka trupa të tjerë nën rrënoja apo nëse gjithçka është e pastër”, ka thënë GV Narayana Rao, drejtori i emergjencës për reagimin ndaj zjarreve në Telangana.

Zyrtarët kanë njoftuar se po kryhen testet e nevojshme të ADN-së për të identifikuar trupat që janë djegur aq shumë sa që nuk njihen më.

Kryeministri indian, Narendra Modi, ka shprehur ngushëllime, si dhe ka njoftuar për kompensim prej 200,000 rupi (rreth 2,336 dollarë amerikanë) për familjet e të vdekurve dhe 50,000 rupi (583.84 dollarë amerikanë) për të lënduarit.