Botë

Shpërthejnë protestat në Siri pas sulmit vdekjeprurës në një xhami

Siri

Foto: Associated Press

Kanë shpërthyer të dielën përleshjet në bregdetin e Sirisë midis protestuesve nga pakica fetare aleavite dhe kundër-demonstruesve, dy ditë pas një sulmi me bombë në një xhami alavite në qytetin e Homsit që ka lënë të vdekur tetë persona dhe të plagosur 18 të tjerë, gjatë lutjeve.

Mijëra protestues janë mbledhur në qytetet bregdetare të Latakias dhe Tartusit, si dhe gjetkë. 

Zyrtarët kanë thënë se hetimet paraprake tregojnë se pajisje shpërthyese ishin vendosur brenda xhamisë në Homs, por autoritetet nuk kanë identifikuar ende publikisht një të dyshuar për bombardimin e së premtes. 

Një grup pak i njohur që e quan veten Saraya Ansar al-Sunna mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë të postuar në kanalin e tij Telegram, në të cilën tregoi se sulmi kishte për qëllim të synonte anëtarët e sektit alevit, një degë e Islamit shiit të cilën islamistët e vijës së ashpër e konsiderojnë si femohuese.

Protestat e së dielës u thirrën nga Ghazal Ghazal, një sheik alavit që jeton jashtë Sirisë, i cili kryeson një grup të quajtur Këshilli i Lartë Islamik Alavit në Siri dhe Diasporë.

Televizioni shtetëror i Sirisë raportoi se dy anëtarë të forcave të sigurisë u plagosën në zonën e Tartusit pasi dikush hodhi një granatë dore në një stacion policie, dhe veturat që i përkisnin forcave të sigurisë u vunë në flakë në Latakia.

Vendi ka përjetuar disa valë përleshjesh sektare që nga rënia e ish-presidentit Bashar Assad në një ofensivë të rrufeshme rebele në dhjetor 2024 që i dha fund gati 14 vjetëve lufte civile. Assad, një alavit, ka ikur në Rusi.

Gjatë sundimit të dinastisë Assad, alavitët ishin të mbipërfaqësuar në punët qeveritare dhe në ushtri e në forcat e sigurisë.

Zyrtarët qeveritarë e dënuan sulmin e së premtes dhe premtuan se do t'i mbajnë autorët përgjegjës, por ende nuk kanë njoftuar për ndonjë arrestim.