Botë

Si i ka mbajtur Putini miliarderët e Rusisë në anën e tij gjatë luftës

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Gjatë luftës me Ukrainën, numri i miliarderëve në Rusi ka arritur një nivel rekord. 

Por në 25 vjetët që Vladimir Putini ka qenë në pushtet, të pasurit dhe të fuqishmit e Rusisë - të njohur si oligarkë, kanë humbur pothuajse të gjithë ndikimin e tyre politik.

Ky është një lajm i mirë për presidentin rus. Sanksionet perëndimore nuk kanë arritur t'i shndërrojnë super të pasurit në kundërshtarë të tij, dhe politikat e tij të karrotës dhe shkopit (një strategji motivuese që përdor si shpërblime (karrotën) për sjelljen e dëshiruar ashtu edhe ndëshkime (shkopin) për sjelljen e padëshiruar, me qëllim që të detyrojë bindjen ose veprimin përmes përforcimit pozitiv dhe pasojave negative), i kanë shndërruar ata në mbështetës të heshtur.

Ish-miliarderi bankar, Oleg Tinkov e di saktësisht se si funksionojnë shkopinjtë.

Një ditë pasi ai e kritikoi luftën si "të çmendur" në një postim në Instagram, drejtuesit e tij u kontaktuan nga Kremlini. Atyre iu tha se Banka e tij Tinkoff, e dyta më e madhe në Rusi në atë kohë, do të shtetëzohej nëse nuk do të ndërpriteshin të gjitha lidhjet me themeluesin e saj.

"Nuk mund ta diskutoja çmimin”, i ka thënë Tinkov “Neë York Times”. 

"Ishte si një peng - merr atë që të ofrohet. Nuk mund ta negocioja”, ka shtuar ai.

Brenda një jave, një kompani e lidhur me Vladimir Potanin, aktualisht biznesmeni i pestë më i pasur i Rusisë, i cili furnizon nikel për motorët e avionëve luftarakë, njoftoi se po blinte bankën. Ajo u shit vetëm për 3% të vlerës së saj të vërtetë, thotë Tinkov.

Në fund, Tinkov humbi pothuajse 9 miliardë dollarë nga pasuria që kishte dikur dhe u largua nga Rusia.

Kjo është shumë larg nga mënyra se si ishin gjërat para se Putini të bëhej president.

Në vitet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, disa rusë u pasuruan jashtëzakonisht shumë duke marrë në pronësi ndërmarrje masive që më parë ishin në pronësi të shtetit dhe duke shfrytëzuar mundësitë e kapitalizmit të sapolindur të vendit të tyre.

Pasuria e tyre e sapo fituar u solli atyre ndikim dhe pushtet gjatë një periudhe trazirash politike dhe ata u bënë të njohur si oligarkë.

Oligarku më i fuqishëm i Rusisë, Boris Berezovski, pretendoi se kishte orkestruar ngjitjen e Putinit në presidencë në vitin 2000, dhe vite më vonë ai kërkoi falje për këtë.

“Nuk e pashë tiranin dhe uzurpatorin e ardhshëm lakmitar tek ai, njeriun që do të shkelte lirinë dhe do të ndalonte zhvillimin e Rusisë", ka shkruar ai në vitin 2012.

Berezovski mund ta ketë ekzagjeruar rolin e tij, por oligarkët e Rusisë ishin sigurisht të aftë të drejtonin fijet në nivelet më të larta të pushtetit.

Pak më shumë se një vit pas kërkimfaljes së tij, Berezovski u gjet i vdekur në rrethana misterioze në mërgim në Mbretërinë e Bashkuar. Në atë kohë, edhe oligarkia ruse ishte plotësisht e vdekur. Pra, kur

Putini mblodhi më të pasurit e Rusisë në Kremlin, disa orë pasi urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, ata nuk kishin çfarë të bënin për të kundërshtuar, edhe pse e dinin se fati i tyre do të pësonte një goditje të madhe.

"Shpresoj që në këto kushte të reja, ne do të punojmë së bashku po aq mirë dhe jo më pak në mënyrë efektive", u kishte thënë ai atyre.

Një gazetar i pranishëm në takim i ka përshkruar miliarderët e mbledhur si “të zbehtë dhe të privuar nga gjumi”.

Periudha para pushtimit ishte shumë e keqe për miliarderët e Rusisë, dhe po kështu ishin edhe pasojat e saj të menjëhershme.

Sipas revistës Forbes, deri në prill 2022, numri i tyre ra nga 117 në 83 për shkak të luftës, sanksioneve dhe rubles së dobësuar. Së bashku, ata humbën 263 miliardë dollarë, ose mesatarisht 27% të pasurisë së tyre secili.

Por vitet që pasuan treguan se përfitime të mëdha do të korreshin nga të qenit pjesë e ekonomisë së luftës së Putinit.

Shpenzimet e majme për luftën nxitën rritje ekonomike prej më shumë se 4% brenda viteve 2023 dhe 2024 në Rusi. 

Në vitin 2024, më shumë se gjysma e miliarderëve të Rusisë ose luajtën ndonjë rol në furnizimin e ushtrisë ose përfituan nga pushtimi, thotë Giacomo Tognini, nga ekipi i Pasurisë i Forbes.

"Kjo nuk përfshin as ata që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt, por që kanë nevojë për një lloj marrëdhënieje me Kremlinin. Dhe mendoj se është e drejtë të thuhet se kushdo që drejton një biznes në Rusi duhet të ketë një marrëdhënie me qeverinë", i ka thënë ai BBC-së.

Ky vit pati numrin më të lartë ndonjëherë të miliarderëve në Rusi - 140 në listën e Forbes. Pasuria e tyre kolektive (580 miliardë dollarë) ishte vetëm 3 miliardë dollarë më pak se niveli më i lartë i regjistruar në vitin para pushtimit.

Ndërsa u mundësonte besnikëve të përfitonin, Putini vazhdimisht i ka ndëshkuar ata që kanë refuzuar të zbatojnë rregullin.

Rusët e kujtojnë shumë mirë se çfarë i ndodhi manjatit të naftës Mikhail Khodorkovsky. Dikur njeriu më i pasur i Rusisë, ai kaloi 10 vjet në burg pasi themeloi një organizatë pro-demokraci në vitin 2001.

Që nga pushtimi, pothuajse të gjithë mega-të pasurit e Rusisë kanë heshtur, dhe ata pak që e kanë kundërshtuar publikisht atë, janë detyruar të braktisin vendin e tyre dhe pjesën më të madhe të pasurisë së tyre.

Të pasurit e Rusisë janë qartësisht çelësi i përpjekjeve të luftës së Putinit, dhe shumë prej tyre, përfshirë 37 biznesmenët e thirrur në Kremlin më 24 shkurt 2022, janë shënjestruar nga sanksionet perëndimore.

Por nëse Perëndimi synonte t’i bënte ata më të varfër dhe t’i kthente kundër Kremlinit, ai ka dështuar, duke pasur parasysh pasurinë e vazhdueshme dhe mungesën e mospajtimit midis miliarderëve rusë.

Nëse ndonjëri prej tyre kishte menduar të largohej drejt Perëndimit me miliardat e tij, sanksionet e bënë këtë të pamundur.

“Perëndimi bëri gjithçka të mundur për të siguruar që miliarderët rusë të mblidheshin rreth flamurit”, thotë Alexander Kolyandr, nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).

"Nuk kishte absolutisht asnjë plan, asnjë ide, asnjë rrugë të qartë që donjëri prej tyre të largohej nga anija. Asetet u sanksionuan, llogaritë u ngrinë, prona u sekuestrua. E gjithë kjo e ndihmoi në mënyrë efektive Putinin të mobilizonte miliarderët, asetet dhe paratë e tyre, dhe t'i përdorte ato për të mbështetur ekonominë ruse të luftës", i ka thënë ai BBC-së.

Eksodi i kompanive të huaja pas pushtimit të Ukrainës krijoi një boshllëk që u mbush shpejt nga biznesmenë miqësorë me Kremlinin, të cilëve iu lejua të blinin asete shumë fitimprurëse me çmim të lirë.

Kjo krijoi një "ushtri të re besnikësh me ndikim dhe aktivë", argumenton Alexandra Prokopenko Nga Qendra “Carnegie Rusia Eurasia”.

Vetëm në vitin 2024, 11 miliarderë të rinj dolën në Rusi në këtë mënyrë, sipas Giacomo Tognini.

Udhëheqësi i Rusisë ka mbajtur një kontroll të fortë mbi lëvizësit kryesorë të vendit, pavarësisht luftës dhe sanksioneve perëndimore, dhe në disa aspekte për shkak të tyre.