Botë

Si po i uzurpon Rusia shtëpitë ukrainase në Mariupol

Ukraina

Sipas analizimit të dokumenteve të publikuara nga autoritetet pushtuese ruse që nga korriku i vitit 2024, të paktën 5.700 shtëpi janë identifikuar si të uzurpuara në qytetin ukrainas të pushtuar nga Rusia, Mariupol. Për t’i shpëtuar shtëpitë e tyre nga uzurpimi, ukrainasit janë përballur me një rikthim të rrezikshëm në Mariupol përmes Rusisë, kontrolle të mundimshme të sigurisë, një proces kompleks burokratik dhe presion të papërballueshëm për të pranuar një pasaportë ruse.

Në mënyrë sistematike autoritetet ruse janë duke uzurpuar mijëra shtëpi të banorëve ukrainas që janë larguar nga Mariupoli, sipas një hulumtimi të kryer nga BBC-ja, ndërkohë që qyteti ka hyrë në vitin e tretë nën pushtimin rus. 

Të paktën 5.700 shtëpi janë identifikuar si të uzurpuara, sipas analizimit të dokumenteve të publikuara nga autoritetet pushtuese ruse që nga korriku i vitit 2024.

Për t’i shpëtuar shtëpitë e tyre nga uzurpimi, ukrainasit janë përballur me një rikthim të rrezikshëm në Mariupol përmes Rusisë, kontrolle të mundimshme të sigurisë, një proces kompleks burokratik dhe presion të papërballueshëm për të pranuar një pasaportë ruse.

Shumica e pronave të ndikuara, më herët kanë qenë të ukrainasve që ose kanë ikur, ose kanë vdekur gjatë rrethimit 86-ditor rus të qytetit me rëndësi strategjike në vitin 2022. Sipas të dhënave të “Human Rights Watch” bombardimet kanë vrarë më shumë se 8.000 persona, po kjo shifër sipas organizatës me shumë gjasë “është nënvlerësim i madh”. 

Konfiskimi po shihet të jetë pjesë e një skeme më të madhe për të rusifikuar qytetin e pushtuar bregdetar, që përfshin ndërtimin e zonave të reja ushtarake dhe riemërimin e rrugëve sipas titujve të aprovuar nga Moska. 

Rrethimi rus i ka lënë 93% të ndërtesave të larta të Mariupolit – 443 kulla – të shkatërruara apo të dëmtuara, sipas një studimi të “Human Rights Watch”. Që atëherë, Rusia pretendon se ka ndërtuar më shumë se 70 blloqe të reja të ndërtesave, por banorët lokalë thonë po përballen me një mungesë të madhe të strehimit. 

Ka pasur raportime për disa kohë se Rusia është duke uzurpuar prona në Ukrainën e pushtuar. Por një ligj i ri e ka përshpejtuar procesin – dhe e ka bërë më të vështirë për pronarët ukrainas të kërkojnë të drejtat e tyre. 

Si 2.200 shtëpi të ndara për sekuestrim të menjëhershëm nga zyrtarët e qytetit, ashtu edhe 3.550 të tjera janë identifikuar për konfiskim potencial, sipas analizimit të dokumenteve të qytetit. 

Halyna është një nga 350.000 ukrainasit që pretendohet se kanë ikur nga Mariupoli për t’i ikur pushtimit rus. Mbiemri nuk i është publikuar për arsye të sigurisë së familjes së saj që është akoma në qytet. 

Ajo tha se blloku i saj i apartamenteve në bregdetin e qytetit, që para luftës kishte 425.000 banorë, është dëmtuar shumë nga zjarri i tankeve ruse gjatë rrethimit. Asaj i është thënë se “dritaret dhe dyert” e apartamentit janë riparuar, dhe se njerëzit janë duke jetuar aty pa lejen e saj. Ajo po frikësohet se apartamenti do të uzurpohet. 

“Kjo është vjedhje e legalizuar e pronës”, ka thënë ajo.

Pronat “pa pronarë” të ukrainasve 

Zyrtarët e përdorin termin “pa pronarë” për të përshkruar shtëpitë që ata thonë se nuk janë në përdorim apo që nuk kanë më pronar legal – efektivisht prona që nuk janë të regjistruara në Rusi.
Por këto apartamente kanë pronarë legalë – banorët ukrainas që i kanë ikur pushtimit rus, apo trashëgimtarët e atyre që kanë vdekur nga sulmet ruse.

Dokumentet zyrtare të publikuara në webfaqen e administratës proruse tregojnë procesin kompleks që çon në pronat që uzurpohen, pasi ato janë raportuar nga inspektorët lokalë apo banorët.

Brenda 10 ditësh nga raporti fillestar, autoritetet e vendosura ruse publikojnë një njoftim në webfaqen e tyre që liston pronën e tyre me “shenjën që është pa pronar”. 

Pastaj pronari duhet të shfaqet në Mariupol me dokumentet e pronësisë dhe një pasaportë ruse.

Autoritetet thonë se po ashtu ata do të pranojnë forma të tjera të dokumenteve të identifikimit, por që nuk i specifikojnë. 

Nëse pronari nuk paraqitet fizikisht brenda 30 ditësh nga publikimi i listimit, autoritetet fillojnë të regjistrojnë pronën si “pa pronar”.

Pasi prona vendoset në regjistrin e “pa pronar”, autoritetet presin për tre muaj para se të synojnë një vendim të gjykatës për të transferuar shtëpinë në pronësi të qytetit. 

Akoma nuk dihet se sa apartamente kanë kaluar fazën finale të gjykatës. Por një konferencë e kohëve të fundit nga Oleg Morgun – kryetari i komunës i vendosur nga Rusia në Mariupol – ka thënë se një vendim final i gjykatës është dhënë për të marrë në pronësi rreth 600 apartamente.

Në praktikë nëse shtëpia e juaj hyn në njërën nga këto listime është pak a shumë e “pamundur” të largohet, sipas Petro Andrushenko, ish-këshilltarit të kryetarit ukrainas të Mariupolit. Në fillim të muajit, Morgun ka insistuar se shtëpitë do të largohen nga regjistrat nëse “një pronar ankohet”. 

Uzurpimi i “ligjshëm”

Në momentin që shtëpitë janë uzurpuar, një ligj i aprovuar vitin e kaluar i lejon autoritetet të transferojnë pronësinë tek individët. Vetëm banorët e republikës së vetëshpallur popullore të Donetskut që kanë humbur prona dhe mbajnë pasaporta ruse kanë të drejtë të marrin shtëpi përmes skemës. 

Siç po shihet autoritetet po synojnë ta bëjnë më të vështirë për ukrainasit të mbrojnë të drejtat tyre. Të gjitha shtëpitë në vendet si Mariupoli duhet të jenë të regjistruara në Rusi – por një dekret i nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, në mars ka ndaluar qytetarët nga vendet “jomiqësore” – duke përfshirë Ukrainën – nga regjistrimi i pronave në territoret e pushtuara deri në vitin 2028 pa leje speciale. 

Kjo i lë ukrainasit me një zgjidhje të pamundur: sigurinë dhe identitetet e tyre, apo shtëpitë e tyre. 
Pavlo tha se atij i është dashur të qëndrojë në Mariupol gjatë rrethimit, pasi është plagosur nga ushtarët rusë. Ai e ka parandaluar që shtëpia e tij të uzurpohej duke marrë një pasaportë ruse dhe thotë se “95% e të  gjitha bisedave në qytet janë rreth pronave”. Ermi i tij i vërtetë është i fshehur për arsye sigurie. 

Në bisedat nëpër grupe në “Telegram” – disa që kanë mijëra përdorues – shumë banorë lokalë shihen konfuz rreth procesit dhe në disa raste nuk e kuptojnë se si prona e tyre është deklaruar si “pa pronarë”. 

“Rregullat nuk janë të qarta dhe nuk janë të publikuara askund. Ti mund të ndiqesh penalisht, por çdo gjë ukrainase në telefonin tuaj apo në regjistrime që ata ju kanë”, ka deklaruar Halyna. 

Diana Berg po ashtu ka ikur nga qyteti për të shmangur pushtimin rus, duke e lënë mbrapa shtëpinë e familjes. Tani ajo është tjetër kund në Ukrainë. 

Për të parandaluar që prona të bjerë në pronësi të qytetit, të afërmit e Dianës do të duhet të kthehen në Mariupol. Mënyra e vetme për ta bërë atë është duke fluturuar për në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, ku ata do të përballen me kontrolle të mundimshme të sigurisë nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – të njohura si “filtrim”. 

Diana tha se nuk ka “asnjë mënyrë” që familja e saj të mund të udhëtojë për në Mariupol. “Procedura e ‘filtrimit’... mund të zgjasë deri në një javë. Ju nuk burgoseni, por mbaheni në një hapësirë derisa ata ju kontrollojnë”.

Rusifikimi i qytetit të pushtuar

Planet e strehimit shihen të jenë pjesë e një fushate më të madhe për rusifikimin e qytetit jugor ukrainas. Imazhet satelitore dhe raportimet e mediave shfaqin se një akademi e re detare dhe një memorial i madh i luftës po ndërtohen në qytet. 

Po ashtu edhe një stemë e re është miratuar, ku largohet gjuha ukrainase dhe shtohen simbolet ruse. 
Derisa shumë nga këto ndryshime janë vendosur me pak rezistencë, skema e strehimit është përballur me kritikë të rrallë nga banorët e mbetur të Mariupolit, që nuk janë rehat me statusin e apartamenteve që po u ofrohen. 

Protestat kanë filluar pasi presidenti Putin personalisht ka përkrahur skemën në dhjetor. 

Një ekspert ligjor ka thënë se plani ka theksuar një thyerje të qartë të ligjeve të luftës të vendosura në Konventën e Katërt të Gjenevës dhe Konventën e Hagës, që ndalon uzurpimin e pronës civile, përveç në raste shumë të izoluara. 

Nehal Bhuta, nga Universiteti i Edinburghut, ka deklaruar se uzurpimet kanë qenë ilegale pasi janë bërë nga “aneksimi i paligjshëm” i aprovuar nga parlamenti në Moskë në vitin 2022. 

Për ukrainasit, Andrushenko tha se është një proces stresues dhe konfuzues. 

“Është sikur dikush t’ju lëndoj përsëri dhe përsëri. Nuk mund ta kuptoni se si është e mundur që apartamenti juaj, prona juaj është ‘pa pronar’. Është sikur të goditesh në kokë me një çekiç”, ka deklaruar Andrushenko.