Të paktën 35 persona kanë mbetur të vdekur dhe më shumë se 130 të plagosur nga një sulm izraelit ndaj houthive në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, të mërkurën.
Sulmi ka ardhur vetëm disa ditë pasi rebelët Houthi kryen një sulm me dron që goditi një aeroport izraelit.
Shumica e të vrarëve ishin në kryeqytetin Sanaa, ku u goditën një seli ushtarake dhe një stacion karburanti, ka bërë të ditur ministria e shëndetësisë.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se do të kërkonte sanksione dhe një pezullim të pjesshëm tregtar kundër Izraelit për shkak të luftës në Rripin e Gazës.
Ky veprim i shtohet izolimit global tashmë të paparë të Izraelit, teksa ai tashmë përballet edhe me pasojat e sulmit të tij që synonte udhëheqësit e Hamasit në Katar, vendin aleat të SHBA-së të martën.
Al-Masirah, një kanal lajmesh satelitor i kontrolluar nga houthitë, ka thënë se nga njëri prej sulmeve në Jemen u godit një ndërtesë e selisë ushtarake në Sanaa qendrore. Shtëpitë fqinje u dëmtuan gjithashtu, raportoi kanali.
Izraeli ka nisur më parë valë sulmesh ajrore në përgjigje të hedhjes së raketave dhe dronëve nga Huthitë në Izrael.
Houthitët e mbështetur nga Irani thonë se po mbështesin Hamasin dhe palestinezët në Rripin e Gazës dhe të dielën dërguan një dron që shkeli mbrojtjen ajrore të Izraelit dhe u përplas në një aeroport jugor.