Të paktën 46 palestinezë kanë humbur jetën të mërkurën si rezultat i sulmeve dhe të shtënave nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës, shumica prej të cilëve ishin duke pritur për ndihmat ushqimore, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë shëndetësorë.
Në mesin e të vdekurve përfshihen më shumë se 30 persona që u vranë teksa kërkonin ndihmë humanitare, sipas burimeve që kanë trajtuar dhjetëra të plagosur.
Ushtria izraelite s’ka komentuar ende rreth këtyre sulmeve, ndonëse pretendon përmes ligjërimit të saj të zakonshëm se nuk i shënjestron civilët, duke ia hedhur fajin grupit militant palestinez, Hamas, për shkak se ata operojnë në zona të dendura me popullsi, ka shkruar AP.
Këto zhvillime kanë ndodhur në kohën kur udhëheqësia e Britanisë së Madhe ka njoftuar se do ta njohë një shtet palestinez në muajin shtator, nëse Izraeli nuk e ndërpret fushatën ushtarake në enklavën palestineze, duke lëshuar deklaratë të ngjashme me atë të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Në Ministrinë e Jashtme të Izraelit kanë bërë të ditur se e kundërshtojnë deklaratën e Britanisë.
Në spitalin e Shifës të qytetit të Gazës është njoftuar se janë pranuar 12 persona të vrarë të martën në mbrëmje, kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj turmave që po prisnin kamionët me ndihma që po vinin nga pika kufitare Zikim, në veriperëndim të Gazës.
Po ashtu, sipas zyrtarëve të spitalit, 13 persona të tjerë u vranë nga sulmet ajrore në kampin e refugjatëve Jabaliya dhe në qytetet veriore Beit Lahiya dhe Beit Hanoun.
Në qytetin jugor të Khan Younisit, mjekët e spitalit Nasser kanë deklaruar se janë pranuar trupat e pajetë të 16 personave që, sipas tyre, u vranë të martën në mbrëmje përderisa po prisnin kamionët me ndihma pranë korridorit të sapo-ndërtuar Morag, i cili e ndan Khan Younisin nga qyteti më jugor i Rafahut.
Në këtë spital kanë bërë gjithashtu të ditur se kanë pranuar trupin e një burri tjetër që u vra nga sulmi mbi një tendë në Khan Younis.
E në spitalin Awda, kanë njoftuar se janë pranuar trupat e katër palestinezëve që u vranë të mërkurën nga të shtënat izraelite pranë një pike të shpërndarjes së ndihmave që drejtohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (FHG).
Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi kanë pretenduar se të paktën 7 persona kanë vdekur në 24-orët e fundit si rezultat i zisë së bukës dhe kequshqyerjes. Kjo e dërgon numrin total të viktimave nga mungesa e ushqimit që prej tetorit të vitit 2023 në 154, mes tyre 89 fëmijë.