Ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet ajrore në Rripin e Gazës, duke lënë të vrarë të paktën 55 persona gjatë natës së të dielës dhe në mëngjesin e së hënës, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë.
Në mesin e viktimave ishte një gazetar i njohur, për të cilin autoritetet izraelite aludojnë se ishte militant i Hamasit, si edhe njerëz që po prisnin ndihma humanitare.
Zyrtarët shëndetësorë kanë raportuar se të paktën 34 persona kanë humbur jetën të hënën, pa përfshirë gjashtë gazetarët që u vranë në një tendë pak para mesnatës, ka shkruar The Guardian.
“Më shumë se 15 persona u vranë teksa po prisnin për ndihmat në pikën kufitare Zikim, në veri të Gazës”, ka thënë Fares Awad, kreu i shërbimeve të ambulancës në atë zonë.
Në Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk kanë ofruar ende ndonjë koment për rastet e fundit.
Më herët të hënën, IDF-ja ka njoftuar se njësitë ajrore dhe artileria po operonin në veri të Gazës dhe në Khan Younis, ku banorja Noha Abu Shamala i kishte thënë agjencisë së lajmeve “Associated Press” se dy sulme me dronë kishin vrarë një familje prej shtatë anëtarësh në banesën e tyre.
E në Ministrinë e Shëndetësisë në Gazë janë regjistruar edhe “pesë vdekje të tjera si pasojë e urisë dhe kequshqyerjes gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë dy fëmijë”.
Kjo e dërgon numrin total të vdekjeve të lidhura me urinë që nga 7 tetori i vitit 2023 në 227, prej tyre 103 fëmijë.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se popullata e enklavës po përjeton “uri — thjesht dhe qartë”, teksa Izraeli po përgatitet për zgjerimin e ofensivës në territor.