(E Përditësuar) - Të paktën 27 persona, përfshirë tetë oficerë policie dhe një zjarrfikës, kanë pësuar lëndime të premten, pas shpërthimit në një pikë karburanti në lindje të Romës, kryeqytetit italian, ka transmetuar Reuters.
Shpërthimi i madh në pompën e derivateve (LPG) në lagjen Prenestino, është dëgjuar në të gjithë kryeqytetin italian.
“Po punojmë pas një shpërthimi të një cisterne ... zjarri është ende aktiv”, kanë njoftuar nga Departamenti i Zjarrfikësve, tek kanë shtuar se një nga oficerët e tyre është shtruar në spital.
Shërbimet e emergjencës ishin në vendngjarje para shpërthimit, pasi ishin lajmëruar paraprakisht për përplasjen e kamionit me një tubacion në pikën e karburantit, kanë raportuar agjencitë italiane të lajmeve.
Bazuar në raportime, zjarri ishte përhapur në një depo aty pranë, teksa vala goditëse nga shpërthimi kishte dëmtuar ndërtesat përreth.
Një zyrtar ka thënë për Reutersin se tetë oficerë policie ishin lënduar, ndërsa agjencitë italiane të lajmeve transmetuan gjithashtu se ishin lënduar edhe punonjës të ambulancës dhe kalimtarë të rastit, pa dhënë shifra të sakta.
Shërbimet e emergjencës kanë bërë të ditur se pesë persona ishin dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Faqja lokale e lajmeve “Roma Today” ka publikuar fotografi ku shihet një shtëllungë e madhe tymi që ngrihet lart në qiell mbi pikën e karburantit dhe banesat përreth.
Pamje të veçanta të publikuara nga Departamenti i Zjarrfikësve kanë treguar po ashtu pikën e karburantit pothuajse plotësisht të shkatërruar.