Vetëm gjysma e të rinjve në Francë dhe Spanjë besojnë se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes. E në Poloni, sipas një hulumtimi, besimi në demokraci është edhe më i dobët.
Shumica nga “Gjenerata Z” e Evropës – 57 për qind – preferojnë demokracinë para çdo forme tjetër të qeverisjes. Shkalla e mbështetjes luhatet prej 48 për qind në Poloni, 51-52 për qind në Spanjë dhe Francë dhe në Gjermani më së larti – 71 për qind.
Më shumë se një e pesta – 21 për qind – do të preferonin regjim autoritar nën rrethana të caktuara, të paspecifikuara. Në Itali ishte përqindja më e lartë – 24 për qind, dhe në Gjermani më e ulëta – 15 për qind. Në Francë, Spanjë e Poloni 23 për qind e të rinjve të anketuar e preferojnë këtë sistem të qeverisjes.
Gati një në 10 të rinj në Evropë kanë thënë se nuk u intereson nëse qeveria e tyre është demokratike apo jo, përderisa 14 për qind të tjerë nuk e dinin ose nuk kanë dashur të përgjigjen.
Studimi u krye në periudhën prill – maj. Më shumë se 6700 njerëz të moshave 16 – 26 në Britani të Madhe, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Greqi e Poloni iu përgjigjën anketës së “YouGov”, që financon projekte dedikuar të rinjve në Evropë.
48 për qind janë shprehur të shqetësuar se sistemi demokratik në shtetin e tyre është i rrezikuar, përfshirë 61 për qind në Gjermani, në të cilin ekonomia – më e madhja në Evropë – është në vështirësi dhe e djathta ekstreme ka bërë përparime të konsiderueshme, të nxitura pjesërisht prej mbështetjes nga votuesit e rinj.
Rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, forcimi i Kinës dhe pushtimi rus i Ukrainës kanë ndërruar perceptimin e respondentëve në Evropë. Vetëm 42 për qind e të anketuarve e shohin Bashkimin Evropian në top-tre “lojtarët më të mëdhenj globalë”. SHBA-ja (83%), Kina (75) dhe Rusia (57) shiheshin si tre lojtarët kryesorë botërorë.
Në Britani 73 për qind e të anketuarve donin rikthimin në BE, ndërsa gjysma e të rinjve evropianë shohin lidhje të forta BE-Britani.