Si qytet fantazmë dukej Tel-Avivi të martën teksa po vazhdojnë luftimet mes ushtrisë izraelite dhe grupit militant të Hamasit. Vlerësohet se shoqërinë e polarizuar të Izraelit e ka bërë bashkë sulmi militant. Ndërkohë lideri suprem i Iranit ka mohuar përfshirjen e shtetit në sulmin e Hamasit, por ka lavdëruar planifikimin nga militantët.
Rrugët e Tel-Avivit kanë qenë pothuajse të zbrazëta të martën nga frika e sulmeve ajrore nga Hamasi. Sulmi i militantëve të Hamasit që ka nisur të shtunën ka unifikuar shoqërinë e polarizuar të Izraelit.
“Tel-Avivi është qytet i zhurmshëm, shumë i gjallë, por tani duket si të jetë qytet i braktisur dhe gati i vdekur”, ka thënë Barak, qytetar i Tel-Avivit.
Lufta katërditore ka lënë së paku 1 mijë e 600 të vdekur. Izraelitët kanë parë luftime në rrugët e qytetit të tyre për herë të parë në dekadat e fundit, ndërkaq lagjet në Gaza janë bërë rrafsh me tokë.

Hamasi ka përkeqësuar konfliktin duke kërcënuar se do të vrasë pengjet izraelite nëse ushtria e Izraelit bombardon civilët pa paralajmërim.
“Ndjenjat janë të rënda. Fatmirësisht nuk kam askënd të lënduar, të zhdukur apo të kidnapuar, por dje e ndjeva sikur të ishin vëllezërit e mi. Ani pse nuk i njoh, ata dukeshin sikur familjarët e mi të kidnapuar”, ka thënë Shahar Tzemach nga kryeqyteti izraelit.
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka kthyer kontrollin e plotë të kufirit.
“Hamasi nuk është kafshë. Është egërsirë që përbëhet nga njerëz me agjenda të ndryshme në mendje. Ky është ISIS-i nëse jo diçka tjetër. Bota duhet ta dijë këtë dhe të na përkrahë. Edhe qeveria jonë duhet të zgjohet dhe të bashkohet e të mos luajë lojëra të politikës”, ka thënë Einav Dahari, qytetare nga Tel-Avivi.
Ushtria izraelite gjithashtu ka njoftuar se Hamasi dhe grupet e tjera militante po mbajnë pengë më shumë se 150 ushtarë dhe civilë izraelitë.
Izraeli ka aktivizuar 300 mijë rezervistë, ende nuk dihet nëse do të nisë sulmin tokësor në drejtim të Gazës.
Grupi militant i Hamasit ka lansuar serinë e re të raketave në drejtim të pjesës qendrore të Izraelit. Në Tel-Aviv të martën janë dëgjuar sirenat teksa një raketë është shkatërruar nga sistemi ajror i mbrojtjes i njohur si “Iron Dome”. Izraeli ka ashpërsuar fushatën ajrore ndaj Rripit të Gazës duke ndaluar furnizimin me bukë, karburante në shenjë hakmarrjeje për agresionin e Hamasit.
Ndërkaq të martën lideri suprem i Iranit, Ayetollah Ali Khamenei, ka mohuar se shteti i tij është i përfshirë në sulmet e Hamasit, por ka lavdëruar grupin militant për planifikimin e sulmit të cilin e ka quajtur “epik”.
“Ata kanë thënë se Irani Islamik është prapa këtyre sulmeve, e kanë gabim”, ka thënë Ayetollah Ali Khamenei.
“Ne ua puthim ballin dhe duart planifikuesve të guximshëm palestinezë. Jemi krenarë me ata. Kjo është e vërtetë”, ka thënë veç të tjerash lideri suprem i Iranit.