Në kohën kur bisedimet hyjnë në fazën e fundit dhe më të ndjeshme, industritë përreth Evropës po përgatiten për sfida të freskëta, qoftë u arrit ose jo marrëveshja. Ato presin që kostoja e presidencës Trump të jetë minimumi 10 për qind në eksportet drejt SHBA-së, pesë herë më e lartë se që ka qenë mesatarja para se ai të zgjidhej vitin e kaluar
Bashkimi Evropian po hyn në fund të afatit për të siguruar marrëveshje tregtare me Washingtonin, për t’i shmangur tarifat 50 për qind, me të cilat presidenti amerikan Donald Trumpi i kërcënoi produktet evropiane që ia mësyjnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka thënë të premten se negociatat – që kanë vazhduar edhe në ditët e fundit të javës – janë fokusuar në 15 prej 18 marrëveshjeve me partnerët e rëndësishëm, përderisa Trumpi ka paralajmëruar për taksë ndaj importeve deri në 70 për qind për të tjerët.
Pasiguria e krijuar nga Washingtoni ka shkaktuar valë shokuese në të gjithë ekonominë botërore. Bizneset i kanë ndërprerë investimet e dollari e ka përjetuar performancën më të dobët në 50 vjetët e fundit, në gjysmën e parë të këtij viti.
Teksa orët po ecin drejt ultimatumit të Trumpit më 9 korrik, Komisioni Evropian mbetet i pasigurt se si do ta trajtojë presidenti amerikan bllokun evropian, pas kërcënimit për tregtinë transatlantike 1.6 trilionëshe.
“Në mesin e shteteve anëtare, pyetja kryesore do të jetë nëse duhet të arrijmë marrëveshje me çdo kusht për ta shmangur luftën tregtare, apo t’i tregojmë muskujt nëse marrëveshja s’është e mirë sa duhet”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se dëshiron marrëveshje të shpejtë të stilit të Mbretërisë së Bashkuar për të shmangur luftë tregtare të shkallës së gjerë, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shprehur pëlqim për një marrëveshje më të mirë nëse një marrëveshje e përshpejtuar s’është e balancuar.
Me agresionin e shfaqur drejt BE-së, të cilën Trumpi njëherë e pati quajtur “më të keqe se Kina”, komisioneri i Tregtisë i Brukselit, Marosh Shefçoviq, u kërcënua javën e shkuar me 17 për qind tarifa në importet e ushqimit, gjatë bisedës me zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit, përfshirë Bessentin.
Pasi pati njoftuar për tarifat në “ditën e çlirimit” ndaj pothuajse të gjitha shteteve më 2 prill, presidenti amerikan Trump i pati pezulluar një javë më pas për 90 ditë.
SHBA-ja tani është buzë nisjes së një sulmi të ri tregtar ndaj dhjetëra shteteve, pasi periudha prej 90-ditësh do të skadojë të mërkurën. Deri tash janë konfirmuar vetëm dy marrëveshje – ajo me Mbretërinë e Bashkuar dhe ajo me Vietnamin.
Kjo ka ngritur pikëpyetje lidhur me kapacitetet e BE-së për të arritur diçka përtej një marrëveshje kornizë politike për t’i zgjatur bisedimet, teksa mbeten në fuqi tarifa prej 10 për qind si bazë dhe të tjerat mbi veturat, çelikun dhe aluminin.
Në kohën kur bisedimet hyjnë në fazën e fundit dhe më të ndjeshme, industritë përreth Evropës po përgatiten për sfida të freskëta, qoftë u arrit ose jo marrëveshja. Ato presin që kostoja e presidencës Trump të jetë minimumi 10 për qind në eksportet drejt SHBA-së, pesë herë më e lartë se që ka qenë mesatarja para se ai të zgjidhej vitin e kaluar.
Pas disa muajsh kërcënimesh për tarifa hakmarrëse mbi gjithçka, nga uiski deri tek aeroplanët Boeing, BE-ja javën e shkuar pranoi se një marrëveshje tregtare gjithëpërfshirëse ishte e paarritshme.
Në vend të kësaj, evropianët ia kanë mësyrë një marrëveshjeje në parim, apo një “marrëveshje kornizë” që do të ngjante në diçka siç e arriti Mbretëria e Bashkuar në maj, e që hyri në fuqi në fund të muajit të shkuar.
Shumë diplomatë të BE-së fillimisht e patën cilësuar të dobët marrëveshjen e Britanisë, bazuar në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, dhe kanë shpresuar që pesha ekonomike prej 1.6 trilionësh në tregtinë transatlantike do t’i ndihmonte të arrijnë marrëveshje më të mirë. Por tani kanë kuptuar se një marrëveshje e thjeshtë mund të jetë më e mira që mund ta sigurojnë.