Tre oficerë policie kanë mbetur të vdekur dhe të paktën 15 persona të tjerë të lënduar nga një shpërthim gazi që dyshohet të jetë i qëllimshëm, në një shtëpi në Italinë veriore.
Shpërthimi është shkaktuar ndërsa policia dhe zjarrfikësit kishin hyrë në shtëpinë që ndodhej në një zonë pranë Veronës, për të zbatuar një urdhër dëbimi për dy vëllezër dhe një motër.
Të tre viktimat që kanë vdekur ishin anëtarë të policisë ushtarake të Karabinierëve, raporton BBC.
Një burrë dhe një grua janë arrestuar në vendngjarje dhe një burrë tjetër që kishte ikur pas shpërthimit është gjetur pas pak kohe. Të tre janë dërguar në spital.
Shpërthimi është dëgjuar rreth 5 km larg dhe imazhet nga vendi i ngjarjes tregonin shtëpinë të shndërruar në një grumbull rrënojash.
Kreu i rajonit të Venetos, Luca Zaia, ka thënë se ishte lëshuar një urdhër dëbimi ndaj tre personave për shkak të borxheve të grumbulluara nga ata.
Sipas raporteve, në vendngjarje ishin dërguar ndërmjetësues për të folur me vëllezërit e motrat që ishin bllokuar në shtëpi. Kur karabinierët kishin mbërritur, besohet se njëri prej vëllezërve e motrave ka shkaktuar shpërthimin.
"Me të hyrë në shtëpi, u përballëm me një akt çmendurie absolute", ka thënë komandanti i policisë provinciale, Claudio Papagno, për agjencinë e lajmeve Ansa.
"Një bombol gazi ishte ndezur dhe shpërthimi goditi drejtpërdrejt oficerët tanë", ka deklaruar ai.
Midis të plagosurve nga shpërthimi janë 11 anëtarë të tjerë të karabinierëve, tre anëtarë të policisë shtetërore të Italisë dhe një zjarrfikës, raportoi Ansa.