Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të enjten tha se mineralet e rralla janë prioritet kryesor për administratën e tij, ndërsa priti në Shtëpinë e Bardhë liderët e pesë vendeve të Azisë Qendrore.
Ai theksoi se synon të zgjerojë zinxhirët e furnizimit të SHBA-së përmes marrëveshjeve të reja ndërkombëtare të arritura me vendet e këtij rajoni.
Në takim morën pjesë udhëheqësit e Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.
Takimi ndodhi në një kohë kur SHBA-ja po përpiqet të rrisë ndikimin në këtë rajon të pasur me burime natyrore, i cili për një kohë të gjatë ka qenë nën ndikimin e Rusisë dhe gjithnjë e më shumë po afrohet me Kinën., raporton Reuters.
Trump e quajti Azinë Qendrore “një rajon jashtëzakonisht të pasur” dhe tha se dëshiron ta bëjë partneritetin me këto pesë vende edhe më të fortë.
“Një nga temat kryesore të diskutimit është bashkëpunimi për mineralet kritike”, tha Trump.
“Kohët e fundit, administrata ime ka forcuar sigurinë ekonomike të Amerikës duke nënshkruar marrëveshje me aleatë e miq në mbarë botën për t’i zgjeruar furnizimet me këto minerale”, ka theksuar presidenti amerikan.
Para darkës së punës, Kazakistani njoftoi për një marrëveshje të madhe minerare përmes një partneriteti të ri të përbashkët me SHBA-në për zhvillimin e njërës nga rezervat më të mëdha të pashfrytëzuara të tungstenit në botë, që gjendet në territorin kazak.
Presidenti kazak, Kasim-Zhomart Tokajev, e quajti takimin “fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Azisë Qendrore”.
Ky shtet ndërkohë bëri edhe një hap simbolik duke iu bashkuar Marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat kanë normalizuar marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa vendeve me shumicë myslimane.
Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziojev, e quajti Trumpin “presidenti i botës” dhe propozoi krijimin e një sekretariati të përhershëm në Azinë Qendrore.