Botë

Trump: Duam që njerëzit në Gazë të ushqehen

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka folur me gazetarët rreth Gazës dhe krizës së saj ushqimore të dielën, pak para se të kthehej në Shtëpinë e Bardhë pas një pushimi fundjave.

"Ne vetëm duam që njerëzit të ushqehen. Dhe ne jemi i vetmi vend që po e bën vërtet këtë. Po japim para për të ushqyer njerëzit", ka thënë ai, duke shtuar "Dhe ne duam që Izraeli t'i ushqejë ata. Po japim disa kontribute mjaft të mëdha, në thelb për të blerë ushqim në mënyrë që njerëzit të mund të ushqehen".

Spitalet në Gazë kanë thënë të dielën se 33 palestinezë të tjerë që kërkonin ndihmë ushqimore janë vrarë nga sulmet izraelite.

Izraeli ka ndërmarrë hapa javën e kaluar për të rritur rrjedhën e ushqimit në Gazë, duke thënë se 1,200 kamionë ndihme kanë hyrë ndërsa qindra paleta janë hedhur nga ajri, por OKB-ja dhe grupet e ndihmës thonë se kushtet nuk janë përmirësuar. 

OKB-ja ka thënë se nevojiten 500 deri në 600 kamionë në ditë në mënyrë që të përmbushen nevojat në enklavën e cila ndodhet në luftë që nga 7 tetori 2023.