Botë

Trumpi këmbëngul të vazhdojë “100%” me planin për tarifa lidhur me Grenlandën

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur zhgënjimin e tij me udhëheqësit evropianë, duke thënë se ata duhet të përqëndrohen te lufta e Ukrainës, në vend se të merren me Grenlandën.

"Evropa duhet të përqendrohet te lufta me Rusinë dhe Ukrainën, sepse, sinqerisht, e shihni se çfarë ka sjellë kjo. Kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohet Evropa - jo në Grenlandën”, ka thënë Trumpi të hënën për NBC News. 

Ai nuk ka pranuar të flasë nëse do ta përdorë forcën për të pushtuar Grenlandën.

Ai gjithashtu ka këmbëngulur se do të vazhdonte "100%" me planet e tij për të goditur kombet evropiane me tarifa nëse nuk e merr Grenlandën.

Veçmas, ai ka përsëritur gjithashtu zhgënjimin e tij me Norvegjinë për çmimin Nobel për Paqe, duke thënë se "Norvegjia e kontrollon plotësisht atë pavarësisht asaj që thotë".

"Ata pëlqejnë të thonë se nuk kanë të bëjnë fare me të, por kanë të bëjnë plotësisht me të", është shprehur Trumpi.